“Fëmijët më janë sëmurë për shkak të ftohtit”, kështu tha një prind i fshatit Baicë të Drenasit për Insajderin, pasi që në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ‘Migjeni’ të kësaj Komune, nuk janë duke u lëshuar nxemjet për ngrohje.
Në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ‘Migjeni’ në fshatin Baicë të Komunës së Drenasit, janë duke u përballur me mungesë të ngrohjes, dhe sipas prindit A.B kjo po ndikon tek nxënësit që e zhvillojnë mësimin në këtë shkollë.
Prindi A.B, nga ky fshat tregoi për Insajderin se tre fëmijë i ka në këtë shkollë, dhe dy prej tyre kanë probleme shëndetësore si shkak i ftohtit gjatë orarit të mësimit në shkollë.
“Tash e sa ditë fëmijët nxënësit duke përfshi edhe parashkollorët nuk kanë fare nxemje dmth mësimi është duke vazhduar pa kurrfarë ngrohjesh. Une si prind kam tre nxënës në këtë shkollë ku dy prej tyre më janë sëmurë për shkak të ftohtit”, ka deklaruar ai.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e shkollës ‘Migjeni’ në Baicë të Drenasit, Misin Lekun, i cili tha se nxemjet me dru në shkollë i kanë kthyer me pelet. Prandaj sipas tij arsyeja e mos ngrohjes në shkollë është se ende nuk janë furnizuar me pelet.
“Shkolla e jonë ka përfituar nga fondi për efiqencë dhe tani kalldaja e shkollës është kthyer nga nxemja me dru në nxemje me pelet.
Tutje Leku tha se shpreson se gjatë javës tjetër të furnizohen me pelet.
“Ne kemi dru për ngrohje po tani nuk na hyn në përdorim deri sa vjen peleti e që besoj dhe shpresoj në javën që vjen do të furnizohemi me pelet”, tha drejtori i SHFMU ‘Migjeni’ në Baicë.
Tutje, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me Komunën e Drenasit të cilët thanë se kanë kërkuar vazhdimisht nga OSHP trajtimin me prioritet të kësaj lende marrë parasysh që sezoni i dimrit ka filluar mirëpo ende nuk kemi vendim nga OSHP për këtë lend.
“Inicimi i procedurës për projektin ‘’Furnizim me lëndë djegëse – Pelet dhe Dru për nevojat e Institucioneve Komunale’’ është bërë me 10.08.2023 dhe është paraparë hapja me 20 shtator 2023 do të thotë një muaj para fillimit të sezonit të ngrohjes.
Gjatë zhvillimit të procedurës kemi pranuar një ankesë dhe lënda ka shkuar në OSHP, pas vlerësimit nga ana e ekspertit të OSHP-së, Autoriteti Kontraktues e ka aprovuar pjesërisht dhe palët janë dakorduar për vazhdim të procedurës. AK ka bërë ndryshimet dhe ka zgjatur afatin sipas vendimit të OSHP-së, ku një ditë para hapjes kemi pranuar ankesë dhe lënda ka shkuar në OSHP.
Ne si AK kemi kërkuar vazhdimisht nga OSHP trajtimin me prioritet të kësaj lende marrë parasysh që sezoni i dimrit ka filluar mirëpo ende nuk kemi vendim nga OSHP për këtë lend. Fatmirësisht shumica e shkollave kanë dru nga nga viti i kaluar mirëpo disa nga shkollat që kanë qenë në projektin për efiçencë kanë kaluar në sistemin e ngrohjes me pelet si pasoj kanë mungesë të peletit siç është rasti më shkollën ‘’Migjeni” në Baicë..”, thanë nga Komuna e Drenasit.
/Gazeta Insajderi/