×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    OBSH: Njerëzit thithin ajër të pastër në vetëm 7 vende të botës

    Insajderi
    19 March 2024 - 20:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Njerëzit janë duke jetuar me ajër të pastër vetëm në shtatë shtete të botës, sipas një studimi të bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Thuajse të gjitha vendet që marrin pjesë në studimin e kësaj organizate ndërkombëtare nuk i përmbushin kriteret për cilësinë e ajrit. Bëhet fjalë për praninë e PM2.5, të cilat janë grimcat e dëmshme që emetohen nga automjetet dhe nga industritë, të cilat nëse janë në sasi të mëdha mund të shkaktojnë probleme shëndetësore.

    Nga 134 shtete dhe rajone që morën pjesë në studim, vetëm shtatë prej tyre i plotësonin kushtet e vendosura nga OBSH. Më konkretisht, Australia, Estonia, Finlanda, Grenada ( Ishujt e Karaibeve), Islanda, Mauritius dhe Zelanda e Re.

    Vendi me ndotjen më të lartë është Pakistani, në të cilin nivelet e dëmshme të PM2.5 janë 14 herë më të larta se standardet e OBSH-së. India, Taxhikistani dhe Burkina Faso janë po ashtu të futura në “listën e zezë”, duke mbajtur katër vendet e para.

    Por edhe në vendet e pasura, ose me zhvillim të shpejtë, progresi ekonomik po kërcënon cilësinë e ajrit. Kanadaja që konsiderohej të ishte vendi me ajrin më të pastër në botën Perëndimore, u bë vendi me cilësinë më të keqe të ajrit për shkak të zjarreve që ranë në pyje duke shpërndarë grimca toksike rreth e qark vendit.

    Ndërkohë, Kina edhe pse pati një përmirësim të cilësisë së ajrit gjatë pandemisë së Covid-19, nivelet e grimcave të dëmshme vijuan të rriteshin në 6.5% sërish, vitin e shkuar me rinisjen e aktivitetit ekonomik.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark