×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “OJQ-ja nga Serbia e të tjera të afërta me krerët e PVD-së, përfituese të mijëra eurove nga Fondi i Qeverisë” – Detaje ekskluzive nga kallëzimi penal

    Insajderi
    10 May 2023 - 16:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    1.2 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, po dyshohet se janë keqpërdorur. Këto pretendime i ka hedhur kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili me 7 shkurt të këtij viti ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të KKSH-së, Ragmi Mustafi, ish-kryetarit të Bujanocit, Shaip Kamberi e ish-kryetares së Preshevës njëherit këshilltares së Kurtit, Ardita Sinani, si dhe ndaj 15 personave tjerë. Insajderi ju sjell detajet e këtij kallëzimi penal.

    Mbi 1.2 milionë euro u ndanë nga Qeveria e Kosovës për t’iu dhënë përkrahje financiare projekteve të cilat kontribuojnë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Parashihej të përkraheshin Organizata të Shoqërisë Civile, Studentë, Individë, Shoqata të Pakicës Kombëtare Shqiptare.

    Por, përfituesit sipas Arifit janë njerëz partiak, të lidhur ngushtë me tri figurat kyçe të Luginës; Ragmi Mustafit, Shaip Kamberit e Ardita Sinanit. Si rrjedhojë buxheti sipas tij u keqpërdor, shkruan Insajderi.

    “Forum 10” nga Novi Pazari përfituese e 10 mijë eurove

    Ai përmend se si OJQ-ja e Fahrudin Kladnicanin “Forum 10”, të cili poashtu e ka paditur nuk ka kombësi shqiptare por është nga Novi Pazari në Serbi, ku edhe e ka selinë.

    Kladnicani sipas Arifit shquhet për afërsinë me krerët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD). Ardita Sinani, Shaip Kamberin e Ragmi Mustafin.

    Si rrjedhojë duke mos i përmbushur kriteret ka fituar projektin në vlerë prej 10 mijë euro ndërkohë që Medvegja nuk përfitoi asgjë, thotë Arifi.

    “Kosova për Sanxhakun”

    Kundërligjshëm, Arifi pretendon se iu dhanë edhe 5 mijë euro mikut të Ragmi Mustafit, Ismet Azizi.

    “Përfitues tjetër i granteve është është aplikimi me numër 63, Organizata nga Gjilani “Kosova për Sanxhakun”, me themelues të pandehurin e tetë Ismet Azizi, i cili është mik i afërt i kryetarit të KKSH-së, Ragmi Mustafi. Me projektin “ Dasma e Peshterit”, në parteritet me shoqatën nga Novi Pazari “Bosnjacki Informativni Centar” është përfitues i shumës prej 5000.00 euro”, thuhet në kallëzimin e siguruar nga Insajderi.

    “Agjencioni për Zhvillim në Preshevë”

    Përfitues i fondit të qeverisë është edhe Besim Shabani, anëtar i PVD-së e këshilltar në Këshillin Nacional Shqiptar.

    Ky agjension, ka fituar shumën prej 49 mijë e 960 euro përkundër që kreu i Preshevës denoncimit të tij pretendon se i njëjti nuk i përmbush kriteret për të fituar grante të mëdha.

    Shabani po ashtu ka qenë ish-koordinator i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal.

    “Youth Power”

    I dyshuari tjetër për keqpërdorim të fondit është Milot Jahiu me organizatën e tij “Youth Power”, ka përfituar shumën në vlerë prej 27,000.00 euro për projektin “Edukimi i të rinjve kundër fenomenit Narkomania”.

    Miloti është djali i Shenur Jahiut ish-shef i Inspeksionit Komunal gjatë qeverisjes së Ardita Sinanit të cilin e kanë shkarkuar Agjensioni Kundër Korrupsion, dhe tani është anëtar i kryesisë së PVD-së.

    Për më tepër organizata “Youth Power” nuk figuron fare e regjistruar.

    “Kolosium Production”

    Denoncimi është ushtruar edhe ndaj Gani Veselit, i cili po del të jetë përfitues i 45 mijë eurove përmes organizatës “Kolosium Production” për realizimin e pesë episodeve filmik me nga 40 minuta.

    Kjo organizatë sipas pretendimeve të Arifit është hapur me datë 30.10.2022, që i bie dy ditë para hapjes së Konkursit Publik për projekte i cili u shpall me datë 1 nëntor 2022.

    Veseli gjithashtu është anëtar dhe aktivist i PVD-së. Ai ka qenë edhe drejtor i Shtëpisë së Kulturës. Ndërkaq bashkëshortja e tij është në Këshillin Kombëtar Shqiptar.

    “Qendra për Demokraci dhe Edukim – Lugina” dhe “Portali Lugina”

    25 mijë euro të ndara nga buxheti i shtetit i kanë shkuar në llogari Evelina Islamit gruas së Agon Islamit, ish-anëtarit të kabinetit të Shaip Kamberit, ish-shef i Zyrës për Zhvillim Ekonomik. Njëherit pjesë e ekipit të Ragmi Mustafit.

    Islami me Qendrën për Demokraci dhe Edukim – Lugina dhe portalin Lugina Lajm me projektin për identifikimin e talenteve në Luginë ka qenë përfituese e 25,000.00 eurove.

    “Vatra”

    Adrit Abdullahu bazuar në denoncimin e bërë nga Arifi është vëllai i gruas së Shpat Aliut, i cili është kushëri i ministrit të Qeverisë Kurti, Liburn Aliu.

    Para se të fitonte 25 mijë euro përmes shoqatës “Vatra”, Abdullahu ishte duke punuar në autolarjen “Diti” në fshatin Tërnoc të Bujanocit.

    “Vatra” është regjistruar 5 ditë pas hapjes së konkursit publik respektivisht me datë 6 nëntor 2022 përderisa konkursi u hap me datë 1 nëntor të atij viti.

    Ajo që e bënë situatën akoma më diskutabile është fakti se i njëjti punon në autolarjen “Diti” në fshatin Tërnoc të Komunës së Bujanocit të cilën e ka edhe në pronësi dhe i vetmi profesion që e ka ushtruar tërë jetën e tij ka qenë aty në autolarje, prandaj i njëjti në kohën e shpalljes së konkursit çuditërisht ndërroi lami“, thuhet në denoncimin e siguruara nga Insajderi.

    “Infowiki”

    18 mijë euro kundërligjshëm po dyshohet se iu dhanë edhe Fisnik Behlulit përmes portalit “Infowiki”, portal i cili nuk ka as faqe zyrtare.

    Si përfitues i kësaj shume doli të jetë për shkak afërsi me ish-kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi ku e mbante postin e shefit të kabinetit të tij si dhe për shkak afërsisë me Ragmi Mustafin.

    “Afirmimetin e tij me Ragmi Mustafin e vërteton edhe postimi i datës 31 Gusht në rrjetin social në Facebook”.

    “Agreenment”

    Edhe emri i Rahim Salihu figuron si i paditur. Ai është përfitues i 30,000.00 euro për hapjen e Zyrës së deputetit popullor shqiptar me Aleancën e të rinjve “Agreenment” e cila nuk është e regjistruar, pretendon Arifi.

    Fitimi i tij konsiston me afërsinë e tij me krerët e PVD-së në këtë mënyrë duke qenë këshilltar politik i Shaip Kamberit, anëtar i ish Kabinetit dhe anëtar i kryesisë së PVD-së.

    “Keka Sports Association”

    Fisnik Ahmeti është përfitues i shumës prej 16,000.00 euro përmes biznesit “Keka Sports Association” për fitnes dhe bodyboilding, në të njëjtën kohë aktivist dhe anëtar i kryesisë së Partisë për Veprim Demokratik -PVD. Sipas kreut të Preshevës është njeri i afërt me këshilltaren e Albin Kurtit, Ardita Sinani.

    “Qendra e Inovacionit Lugina”

    Një tjetër person i afërt me Ardita Sinanin po dyshohet se ka përfituar grantin prej mbi 43 mijë eurove.

    Fjalë është për ish-anëtarin e kabinetit të Sinanit, Fatos Hyseni i cili njëherit është edhe anëtar i PVD-së.

    Hyseni është përfitues i grantit të madh prej 43,135.00 euro, përmes organizatës së tij OJQ – Qendra e Inovacionit Lugina 2022. Këtë OJQ e themeloi në emër të bashkëshortes së tij Donika Behluli me date 14 nëntor 2022 pra 13 ditë pas shpalljes së konkursit publik i cili u shpall me datë 1 nëntor 2022“, thuhet në kallëzimin penal.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria për të kuptuar nëse padia e ushtruar nga Shqipërim Arifi është trajtuar apo do të trajtohet, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Lexo edhe: 50 mijë eurot e ndara për Luginën përfundojnë në llogarinë e kompanisë së kushëririt të Besnik Bislimit – Detaje nga kallëzimi penal

    Për këto akuza të Arifit, ditë më parë për Insajderin ka folur Ragmi Mustafi, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve.

    Mustafi e ka mohuar në tërësi akuzën e Arifi teksa shprehej i hapur për bashkëpunim me Prokurorinë.

    “Këtë e bën veç me u bë lajm në Kosovë sepse nuk ka asnjë të vërtetët nga ajo çka e thotë e kam demantu 1 milionë herë, e po më duhet vazhdimisht me bë kur po më thirrin gazetarët nga Kosova e po i bije që po jam pjesë e procesit me të”, tha ai.

    Mustafi ka përdorur edhe terma ofendues ndaj Arifit duke e cilësuar si gaz i krejt shqiptarisë.

    “…Unë sqarohem komplet me Prokurorinë e Kosovës, por nuk po du një budallë, një hajvan, një lop, i cili rastis me qenë kryetar i Preshevës me u bo gazi i krejt shqiptarisë sepse ai qeshtu vazhdimisht po bëhet lajm, qeshtu po do me pas vëmendje e me qenë në qendër të vëmendje për këtë farë pune“, ka thënë ai.

    Krejt këto veprime sipas Mustafit, kryetari i Preshevës po i bën për vëmendje.

    Ai po vazhdon të e mbajë këtë temë publike, dmth njëherë dul e bëri një konferencë, prapë një tjetër – shkojë në prokurori, ai po do me mbajtë vetë në qendër të vëmendjes. Mua nuk më duhet hiç kjo lloj vëmendje, mua më duhet në rast se Prokuroria, pretendimet e tij që janë fallc, ai po do me bë lajme prej seneve që janë fallc, prej seneve që sjanë të vërteta. Unë jam shumë i gatshëm për bashkëpunim“, u shpreh ai.

    Sipas tij, pretendim i vetëm i Shqipërim Arifit është se “ky është i afërt me këtë”, teksa thekson se në Luginë numri i banorëve është 30 mijë e secili njihet me tjetrin.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark