
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një grupi të organizuar kriminal prej 11 të pandehurve, me izraelitin Omer Tene në krye. Ky grup dyshohet se udhëhoqi një call center mashtruese në Kosovë. Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht për aktivitetet e këtij grupi dhe akuzat që rëndojnë mbi ta.
Prokuroria tha se të pandehurit O.T, A.G, B.B., I.K., D.M., F.B., A.R., L.H., A.A., K.I., V.K. përmes kompanisë së regjistruar në ARBK, por të palicencuar, për ndërmjetësim financiar kanë kryer mashtrime të mëdha financiare nga tetori 2018 deri në nëntor 2022.
Në njoftim të Prokurorisë Speciale tutje thuhet se në krye të grupit ka qëndruar i pandehuri O.T. – shtetas i Izraelit, “ndërsa pandehurit tjerë, duke u prezantuar si brokerë kanë mashtruar viktimat nga vende të ndryshme të botës, duke përdorur identitete të rreme dhe platforma të parregulluara investimi, ku fitimet e shfaqura kanë qenë vetëm simulime”.
“Viktimave iu kanë premtuar fitime të larta me rrezik minimal dhe në atë mënyrë i kanë nxitur të investojnë shuma të mëdha parash, të cilat pastaj janë transferuar në llogari të bizneseve të regjistruara dhe të kontrolluara nga grupi kriminal, duke u fshehur gjurmët financiare”.
Çka raportoi Insajderi për izraelitin e akuzuar për mashtrim?
Biznesmeni izraelit Omer Tene drejtonte një biznes call center në Kosovë, përmes të cilit dyshohej se ishin mashtruar njerëzit. Tene ishte pronar i kompanisë “OT Capital”, e regjistruar në Kosovë në vitin 2018, me aktivitet kryesor: Call Center.
Bashkë me Omer Tene ishte arrestuar edhe bashkëshortja e tij, Enesa Tene. Përveç çiftit, në pranga kishin përfunduar edhe Altin Gashi, Bindi Balidemaj, Artan Ademaj, Lauresa Hoxha, Lirie Gegaj, Dibran Morina, Albion Selmanaj, Ilir Kadishani, Joana Llapi, Kujtim Islamaj, Marigona Pepiqi dhe Vildane Kosumi.
InDoks e kishte ndjekur nga afër rastin. Ata ishin parë duke hyrë në gjykatë, dhe ndër të fundit që iu bashkua radhëve ishte biznesmeni Omer Tene.
Në dosjen fillestare të aktakuzës, të siguruar nga InDoks, raportohej se 14 persona dyshoheshin për vepra penale si “Qasje në sisteme kompjuterike”, “Mashtrim” dhe “Pastrim parash”.
Por si kishte funksionuar krimi me “Call Center”, për të cilin dyshoheshin të njëjtët?
Në krye të operacionit ishte biznesmeni izraelit Omer Tene, pronar i kompanisë “OT Capital”, ndërsa të tjerët, sipas Ministrisë Publike, punonin si punonjës të call center me të njëjtin emër.
Ata, përmes telefonatave dhe duke përdorur softuer kompjuterik, kishin kontaktuar me të lënduar nga vende të ndryshme të botës, me të ardhura të larta, të cilët nuk kishin njohuri në fushën e investimeve apo teknologjisë.
Të njëjtat ishin ofruar edhe të dëmtuarve, të konsideruar si viktima, investime në aksione, para virtuale, forex etj., duke i udhëzuar ata të investonin në faqen e internetit që vetë të pandehurit kishin krijuar, në të cilën manipulonin vlerën e të njëjtës, pretendonte Prokuroria.
Më tej në padi sqarohej se pas kësaj, viktimat ishin udhëzuar të instalonin në kompjuterët e tyre softuer me akses në distancë për “ndërmjetësit”, për të përshpejtuar investimin, ndërsa në fund paratë e viktimave kishin shkuar në llogari të disa bizneseve fiktive dhe më pas në llogarinë e shoqërisë “OT Capital LL.C” – në pronësi të izraelitit Omer Tene.
InDoks kishte tentuar të merrte një deklaratë nga avokati i tij pas seancës, por ai gjithashtu kishte refuzuar të fliste në emër të Omer Tenes.
Tene, së bashku me të dyshuarit e tjerë, ishin arrestuar në nëntor 2022 dhe që atëherë ishin në paraburgim, me dyshimin për mashtrim të personave me biznesin “Call Center”.
Lexo edhe: