×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Opozita pa Haradinajn me plot kritika për takimin Kurti-Vuçiq të hënën, “Takim me në qendër Asociacionin”, “Devijim e degradim i Dialogut”

    Insajderi
    25 February 2023 - 19:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Takimi i së hënës mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të ketë vëmendjen më të madhe ndërkombëtare në historinë e dialogut dhe marrëdhënieve mes dy shteteve, ka pohuar Ndërmjetësi sllovak i Dialogut të Fascilituar nga BE, Miroslav Lajçak, shkruan Insajderi.

    Nga ky takim pritet “prodhim i lajmeve të mira” ka thënë ndërmjetësi, derisa ka shtuar se palët do të duhet të pranojnë “publikisht dhe zyrtarisht” planin evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Këtë të hëne pritet të pajtohet për një Udhërrëfyes të Zbatimit të propozimit “merre ose lëre” evropian – propozim ky pa njohje juridike Kosovë-Serbi, dhe me pranim të nisjes së zbatimit të të gjitha marrëveshjeve pararprake të Brukselit, ku theksi më i madh bie mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Përveç Aleancës për Ardhmërin e Kosovës e cila i ka dhënë mbështetje të paeukiov kësaj marrëveshjeje të negocuar nga Kurti, dy partitë kryesore opozitare kanë shprehur kundërshtitë madhore të tyre me të.

    Takimin e së hënën Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur “takim për Asociacionin e jo për njohje” derisa tha se Qeveria e Kosovës “me paaftësinë e saj e ka degraduar dialogun”. Nga njohja në qendër të një marrëveshje, Krasniqi tha se Kurti e ka sjellur “Asociacionion në qendër” të një marrëveshje edhe ashtu “kalimtare”.

    “Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi”, shkroi Krasniqi.

    “Për më keq, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixihiku pikë kyçe për ta kritikuar e ka identifikuar negocimin e një marrëveshje pa njohjetë ndërsjellë. Çfarëdo devijimi nga ky qëllim përfundimtar i njohjes reciproke, beson Abdixhiku, është degradim.

    “Qëndrimi i LDK-së për procesin e dialogut është që duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme dhe duhet të përmbajë aktin kur Serbia e njeh Kosovën, dhe kur Kosova ndërsjellazi e njeh Serbinë. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka thënë Abdixhiku.

    “Me veprimet e pamatura, pa qenë i koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me aleatë, Kryeministri e ka larguar Kosovën nga ky synim. Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arrtijen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Nuk flitet për njohje të ndërsjellë dhe nuk flitet për një marrëveshje përfundimtare. Tani flitet për marrëveshje bazë që nuk e ka njohjen reciproke”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

    Ndërkaq partia e tretë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur mbështetshmërinë e saj qysh në fillim të shfaqjes së planit franko-gjerman, të cilin Ramush Haradinaj e quajte “amerikan” dhe me “njohje brenda”.

    Megjithatë, nuk dihet se çfarë versioni të këtij plani ka parë Haradinaj, kur edhe vetë negocuesi i parë i kësaj marrëveshje, Albin Kurti, thotë se përmban vetëm njohjen “de facto”./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark