Pas raportimit të Gazetës Insajderi për rastin e abuzimit psiqik të 3 vjeçares me autizëm nga logopedi Iljasa Fazliu, në Gjilan do të mbahet një protestë.
Protesta pritet të mbahet më 1 dhjetor. Organizatori i kësaj proteste, Lulzim Behxheti i ka thënë Insajderit se ka ftuar protestë kundër institucioneve që nuk kanë asnjë program të qëndrueshëm për fëmijët autik.
“Po, më datën 1 dhjetor në ora 12:00, i kam ftuar qytetarët të protestojnë kundër institucioneve që nuk kanë asnjë program të qëndrueshëm për fëmijët autik. Nuk i lihet privatit me e marrë rolin e edukatorit, terapeutit ose të asistentit nëpër shkolla. Mjaft është mjaft”, ka thënë Behxheti.
Ai ka shtuar se shoqëria civile e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë protestë.
Të dielën, Gazeta Insajderi ka publikuar ekskluzivisht një audioincizim ku dëgjohet logopedi nga Gjilani, Ilajsa Fazliu teksa abuzon psiqikisht me një 3 vjeçare autike.
Fazliu i cili më vonë u kuptua se nuk ka as licensë të logopedit, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Në seancës gjyqësore që është zhvilluar të hënën, atij iu është caktuar një muaj paraburgim. /Insajderi