×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Pa Asociacion s’ka marrëveshje”, Lajçak edhe më i prerë pas vizitës në Beograd

    Insajderi
    14 March 2023 - 18:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nëse s’ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, nuk do të ketë as marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, ishte mesazhi kyç i Përfaqësuesit Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan Insajderi.

    Këtë koment Lajçak e bëri duke folur për transmetuesin publik serb, pas konkludimit të takimeve me përfaqësuesit politik serb, të cilët po ashtu kanë të njëjtin qëndrim se Asociacioni është “parakusht i parakushteve” për bisedime të mëtejme rreth plan-propozimit të BE’së të dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

    Asociacioni duhet të jetë sipas modelit të para 10 viteve, thotë Lajçak

    “Propozimi evropian ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve, jo me kapitullimin. Besoj se propozimi ynë është i drejtë dhe i dobishëm për Serbinë dhe rajonin, nuk jam këtu për të ndryshuar historinë por për të ndryshuar të ardhmen”, theksoi Lajçak.

    Ai thotë se marrëveshja e Asociacionit nuk është përmbushur për dhjetë vjet, por se kësaj here beson se do të bëhet. “Nuk do të kemi marrëveshje pa Bashkimin e Komunave Serbe”, thekson i dërguari special i BE-së për dialog.

    “Ne e dimë se është rënë dakord në 2013, por nuk ndodhi. Këtë herë duhet të ndodhë në bazë të asaj që është rënë dakord në 2013 ose 2015. Ne propozuam 15 modele ekzistuese evropiane si frymëzim. Jo si alternativë. Ndoshta marrëveshjet nga viti 2013 apo 2015 nuk do të japë përgjigje për të gjitha pyetjet. Unë dua që ne të kërkojmë frymëzim nga modelet funksionale evropiane”, tha i dërguari special i BE-së për dialogun.

    Lajçak ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit, e cila është nënshkruar 10 vjet më parë, “nuk është braktisur”.

    “Asociacioni duhet të ndërtohet sipas modelit që është rënë dakord në 2013-2015. Dhe modelet janë atje për të treguar se askush nuk duhet të ketë frikë. Ka modele të vetëqeverisjes në Evropë, të njerëzve të pakicës, dhe kjo nuk është asgjë e rrezikshme, askush nuk duhet të ketë frikë. Është normale që ne kemi garanci ligjore që komuniteti minoritar të ndihet i sigurt”, shpjegoi ai.

    I pyetur nëse Asociacioni ka kompetenca ekzekutive dhe çfarë do të thotë kur thuhet se “nuk duan një Republikë Srpska tjetër në Kosovë”, Lajçak shpjegon se Asociacioni ende nuk ekziston dhe se çfarë do të ketë duhet të bihet dakord mes Beogradit dhe Prishtinës brenda dialogut, “por sigurisht në bazë të asaj që është rënë dakord në 2013 dhe 2015”.

    “Duhet të bien dakord për një sërë detajesh, të propozohet një statut dhe të dy palët bien dakord për statutin. Për dhjetë vjet, marrëveshja nuk është përmbushur, por kësaj radhe do të jetë, sepse nuk do të kemi një marrëveshje pa Asociacionin”, tha Lajçak.

    Ai thotë se shumë në Kosovë kanë frikë se Asociacioni do të dëmtojë funksionimin e saj, prandaj duhet frymëzim.

    “Duam t’u tregojmë se nuk duhet të kenë frikë, se këto modele ka shumë në Evropë dhe funksionojnë mirë”, nënvizoi Lajçak.

    Lajçak ka paraqitur 15 modele evropiane për Asociacionin dhe beson se ato mund të jenë të dobishme për ta ndërtuar atë, dhe se asnjë prej këtyre modeleve që ia paraqet Kosovës nuk çon në “diskfunksionalizim” të shtetit të Kosovës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje konfirmoi se këto 15 modelet evropiane për një Asociacion i ka gjithashtu në tryezë dhe se ato po trajtohen nga këshilltarët e tij. Por, beson ai, “kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”.

    “Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari evropian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian, janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Unë s’po përmendi ndonjëherë të mos i rrezikoj apo harroj një pjesë, por në vendet e BE-së dihet se përveç popullsisë shumicë ka edhe pakica”.

    “Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë. Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme”, ka thënë Albin Kurti.

    Ndërkaq, ventrilokisti i Aleksandar Vuçiq, Millovan Drequn, është shprehur ditëve të fundit se këto 15 modele evropiane janë ofruar për t’i krijuar “rrugëdalje” Albin Kurtit, shkruan Insajderi.

    “Perëndimi nuk është shumë i vendosur të dënojë politikisht Kurtin, por po sheh t’ia gjejë një rrugë dalëse. Kjo rrugëdalje sheh në propozim 15 modele në BE që mund të shërbejnë si shembull”.

    “Ata duan ta plogështojnë Marrëveshjen e Brukselit, që janë pushtetet ekzekutive. Kjo do ta bënte Kurtin ta pranojë pikën për vetëqeverisje të serbëve në Kosovë. Kjo nuk është për ne e pranueshme. Asociacioni duhet të ketë pushtete ekzekutive”, ka thënë Millovan Drequn në Tv Pink, përcjell Insajderi.

    Megjithatë, këto 15 modele evropiane zgjojnë sërish pyetje të mëdha. Kjo ngase modelet evropiane mund të funksionojnë fare mirë në vendet evropiane, ku shtetet fqinje nuk ia luftojnë aktivisht sovranitetin njëra-tjetrës, ndryshe nga Serbia që mohon ekzistencën, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

    “Asociacionit nuk po mundohemi me iu shmang”, tha i dyti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ditë më parë në një intervistë në ATV.

    “E para gjë është garancia e BE’së që Asociacionu nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, e dyta Kosova i tregon se çfarë komptenca jo-ekzekutive do të ketë Asociacioni, dhe e treta garancioni i ShBA’së dhe BE’së që ky Asociacion nuk do të jetë kurrfarë mekanizmi që shkon përtej asaj që lejon Kushtetuta e Kosovës”.

    Ishin këto “tri gjëra” që Konjufca tha se duhet t’i dimë.

    “Nëse pala kundërshtare është duke menduar që për të pranuar atë Kosova do ta ndërrojë Kushtetutën, Kosova ka me dhanë kompetenca ekzekutive, se e paska obligim të një marrëveshje të mëhershme – këtë harrone”, u shpreh Konjufca.

    Kështu paraqitemi më 18 mars në mars në Ohër, siguroi ai.

    Se çka ndalohet “rreptësisht”, Konjufca tha se ky Asociacion nuk do të jetë bartës i tretë i pushtetit lokal “midis komunave dhe qeverisë”, shkruan Insajderi.

    E një Asociaiconi i këtillë, Konjufca tha se “nuk i bën dëm kurrgjë Kosovës”.

    Ky është “premtimi abstrakt”, tha Glauk Konjufca, përmes të cilit Kosova synon të merr njohen “de facto” nga Serbia, ndonëse nuk beson fare se Serbia do ta nënshkruaj atë më 18 mars.

    “Në Ohër shkojmë me pozicionin tonë që marrëveshja është e konstruktuar kështu: ndodh njohja “de facto” dhe mëpastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit. Nëse nisemi prej të kundërtës, Kosova pëson edhe dëmtohet, dhe është gabim m’u pozicioniu ashtu. Është shumë e thjeshtë”, tha ai./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark