×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Pa mashtrues e popullistë”, Abdixhiku kërkon nga Kurti ta shpalos draftin e Asociacionit

    Insajderi
    28 October 2023 - 11:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ftuar kryeministrin Kurti që ta shpalos draftin e Asociacionit para qytetarëve dhe Kuvendit.

    Abdixhiku tha se trë ditë më parë, ky dokument u pranua për herë të parë nga Kurti, pasi s’kishte më herët një të tillë dhe kurrë më parë sipas Abdixhikut, s’kishte arritur kaq larg, teksa Kurtin e quajti arkitekt të mashtrimit.

    “I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend”, ka shkruar Abdixhiku.

    Teksa tha se është koha që të bëhet Kosova pa mashtures.

    “Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim. Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian”, shkroi Abdixhiku në “Facebook”.

    Shkrimi i plotë:

    Të dashur qytetarë të Republikës,

    Sot, bëhen një javë që nga dorëzimi i Draftit të Statutit të Asociacionit nga pesëshja e emisarëve tek kryeministri i Kosovës. Që nga ajo ditë Kosova dhe populli i Kosovës janë në terr të plotë informativ.

    Tre ditë më parë, në prani të udhëheqësve kryesorë evropianë, ky dokument, u pranua për herë të parë nga kryeministri i Kosovës. Për herë të parë sepse kurrë më parë nuk kishim patur një dokument statuti. Kurrë më parë nuk ishte arritur kaq larg.

    Tani, yjet politike janë përplot ironi.

    Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve një dekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik.

    Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim. Vetëm se humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim. Këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi.

    Dhe mbi të gjitha, pa ndonjë shpjegim për një popull të tërë se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë.

    I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend.

    Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim.

    Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark