×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Pagat janë degaradim dhe tallje, disa nga shërbyesit civil nga sot po e lëshojnë punën” – paralajmëron kryesindikalisti

    Insajderi
    01 March 2023 - 12:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë njoftuar dje se janë ekzekutuar pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik.

    Në disa kategori janë shprehur pakënaqësitë pasi rritja e pagës nuk ka qenë ashtu siç e kanë pritur.

    Ali Gashi, kryetar i Këshillit Drejtues të BSPK-së, ka thënë se pagat e reja janë një degradim dhe tallje nga Qeveria.

    Për punëtorët e shërbyesve civil, sipas Gashit, kjo është e papranueshme.

    “Jemi tmerruar me ato paga që janë dalë dhe me klasifikimin e punëtorëve që ka ndodhë nga ana e Qeverisë. Shumica e zyrtarëve të Shërbyesve Civil ne komuna është klasifikuar tek profesional 3 që rrjedhimisht i bie 380 euro pagë, kjo është një degradim dhe një tallje e radhës, është e papranueshme nga ne. Është shokuse edhe për zyrtarët publik të cilët mezi e kanë pritur Ligjin e Pagave në këtë gjendje të rënduar ekonomike kjo është skandaloze”, u shpreh Gashi për Front Online

    Pas ekzekutimit të pagave të reja, Gashi ka treguar se disa zyrtarë kanë njoftuar dorëheqjen nga puna.

    Ai thotë se që nga pas lufta situata me pagat asnjëherë s’ka qenë më keq.

    “Dëshiroj të besoj se ky është një gabim nga ana e Qeverisë dhe jo me tendencë sepse është një pagë që i ka demotivuar shërbyesit civil. Sot disa zyrtarë më kanë kontaktuar dhe më kanë njoftuar që më nuk do të vazhdojnë të punojnë më në shërbimit civil për faktin se nuk ja vlen. Kjo është situata më e keqe që pas përfundimit të luftës,” theksoi Gashi.

    Këshillit Drejtues te BSPK-së njoftoi se do t’i dërgojnë shkresë Qeverisë për pakënaqësitë e tyre.

    “Kam kontaktuar më gjithë zyrtarët dhe do t’i dërgojmë shkresë zyrtare Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, që në mënyre urgjente të bëhet përmirësimi dhe klasifikimi meritor të shërbimit civil në të kundërtën do të përfundojë keq shërbimi civil”, deklaroi Gashi.

    Gjatë ditës së djeshme ka pasur shumë reagime në lidhje me pagat e reja.

    Sindikalisti Ali Sefaj pati kritika se ka keqinformim nga institucionet edhe lidhur me pagat e mësimdhënësve.

    Ndërsa, Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u ka reaguar duke thënë se nuk është i kënaqur me pagat e reja.

    “Nuk jemi shumë të kënaqur me këtë rritje prej 100 euro, por shpresoj që të rritet kjo shumë viteve në vijim. Borxhlisë të keq thojnë nëse mundesh bile bishtin e sakicës merrja”, u shpreh Jasharaj për “Front Online”.

    Reagime pati edhe nga politika.

    Anëtari i PSD-së, Nol Nushi ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik po del të jetë masakër financiare.

    Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën, u mashtruan.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark