Ylli anglez 22-vjeçar, Cole Palmer ka arritur të barazojë një rekord të madh të legjendës së klubit Frank Lampard, në sezonin e tij debutues me Blutë.
Palmer u transferua në verë nga Manchester City për një shifër mbi 50 milionë euro dhe kjo bëri që të kishte kritika të mëdha për çmimin e paguar.
Megjithatë, Palmer ka shpaguar thuajse çdo cent të paguar duke qenë lojtari më i mirë i Bluve këtë sezon, me numra të ‘frikshëm’ në sezonin debutues.
22-vjeçari i gjithanshëm shënoi edhe mbrëmjen e së mërkurës në ndeshjen ndaj Brightonit të fituar nga ekipi londinez me rezultat 2-1.
Goli i tij e çon numrin e anglezit në 22 gola në Ligën Premier deri më tani këtë sezon.
Kjo do të thotë se Palmer ka arritur rezultatin më të mirë të Frank Lampard në një sezon të vetëm të ligës. Lampard shënoi 22 herë në sezonin 2009/10.
Vetëm Jimmy Floyd Hasselbaink dhe Didier Drogba kanë arritur të shënojnë më shumë se 22 gola në një sezon të vetëm të Ligës Premier. /Telegrafi/