Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur i kënaqur me fitoren e thellë të skuadrës së tij në udhëtim te Ballkani.
Llapi ka fituar me rezultat të thellë 4-1 në udhëtim te Ballkani në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Kjo fitore ka lënë shije të mirë të Batatina, i cili ka përgëzuar skuadrën e tij, teksa ka lavdëruar paraqitjet e dyshes, Francisco Rivera dhe Gerhard Progni.
“E kemi ditur se do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Këtë herë ndoshta ka ndryshuar loja e Ballkanit që ka treguar paraqitje të mira në Evropë dhe në këtë e shfrytëzuam duke reaguar pas një humbje të papritur”, ka thënë fillimisht Batatina pas ndeshjes.
“Bëmë një paraqitje spektakolare. Këtë herë i kishim marrë të gjitha masat për t’u përballur me Ballkanin dhe kemi bërë ndryshime taktike dhe e kemi ditur se nëse vrapojmë më shumë do ta fitojmë ndeshjen, gjë që edhe e arritëm”.
“Mbuluam pikat e forta të Ballkanit, u mbrojtëm shumë mirë dhe shfrytëzuam kundërsulmet e shpejta ku realizuam golat dhe fituam ndeshjet”.
“Rivera është mesfushori më i mirë në ligë dhe këtë nuk kemi çka diskutojmë, pasi ai zgjidh të gjitha problemet brenda ndeshjet. Progni me këtë supergol po rikthehet në formën e dikurshme dhe ne do të shkojmë nga ndeshja në ndeshje sepse kampionati është i gjatë”, përfundoi trajneri i Llapit.