Pas masave të ftohta me origjinë polare që sollën reshje të dendura shiu e bore në javës që lamë pas, gjatë këtyre ditëve do mbretërojnë masa më të ngrohta ajrore, të cilat do të sjellin mot stabil dhe ngritje të temperaturave, konkretisht deri të enjten.
Nën këto kushte, parashikohet mot me diell dhe vranësira të pakta, të cilat lokalisht më të shtuara pritet të jenë të mërkurën dhe të enjten. Po ashtu, mëngjesi do të jetë me acar në ditët e para të javës, me mundësi të paraqitjes së mjegullës nëpër lokalitete.
Nga dita e premte, pritet të depërtojnë masa të ftohta dhe të lagështa nga veriperëndimi i kontinentit, të cilat do të sjellin ulje të ndjeshme të temperaturave në vlerat maksimale dhe sërish reshje intensive të shiut dhe borës, përfshirë edhe fundjavën.
Këto masa do të jenë më të dobëta në aspektin termik, që nënkupton se temperaturat nuk pritet të jenë mjaftueshëm të ulëta për të favorizuar reshjet e borës në pjesën më të madhe të territorit. Si rezultat, reshjet kryesore mund të jenë në formën e shiut spo shqotës. Megjithatë, edhe reshjet e borës do të paraqiten herë pas here edhe në zona të ulëta.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe në pjesën e dytë të javës pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-45 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -5 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 13°C. Vlerat më të larta maksimale do të jenë deri të enjten, më pas ulje e ndjeshme e tyre. /MeteoKosova/