×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    “Parat u dhanë por punët nuk u kryen” – Si shkuan huq 23 mijë euro nga Komuna e Ferizajt?

    Insajderi
    08 September 2023 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    ‘Punët e papërfunduara, por pagesat bëhen’. Afër 23 mijë euro që i dha Komuna e Ferizajt shkuan huq. Kjo pasi tri projekte të ndryshme nuk u realizuan ashtu siç ishte e planifikuar, shkruan Insajderi.

    Sipas gjetjeve të ZKA-së në Komunën e Ferizajt, gjatë vitit 2022, për furnizimin dhe montimin e pajisjeve për ngrohje qendrore në tri shkolla, janë paguar 46 mijë e 248 euro, por që nuk janë realizuar të gjitha punët e parashikuara. Që do të thotë se 11 mijë e 958 euro janë paguar, ndonëse punët nuk janë kryer.

    “Furnizimi dhe montimi i pajisjeve të ngrohjes qendrore në tri shkolla të Komunës së Ferizajt, është realizuar pagesa prej 46,248 euro. Mirëpo, punimet nuk ishin realizuar siç ishin përshkruar në situacion, disa pozicione të paraqitura në situacion në vlerë 11,958€ nuk ishin realizuar”, thuhet në raport.

    Gjithashtu, për projektin dyvjeçar të rrugës në fshatin Rakaj për asfaltim dhe zgjerim të rrugës, Komuna ka ekzekutuar pagesën prej 54,120 euro, por që punimet në këtë rrugë nuk janë kryer siç ishte e paraparë. Që i bije se Komuna ka paguar 6224 euro për punë që nuk janë kryer.

    “Asfaltimi dhe zgjerimi i rrugës në fshatin Rakaj – projekt dy vjeçar me vlerë të kontratës 279,818€, kemi vërejtur se Komuna kishte ekzekutuar pagesën prej 54, 1200 për pune që sipas situacionit ishin të përfunduara. Mirëpo, punimet nuk ishin realizuar siç ishin përshkruar ne situacion. Pozicionet e përshkruara në situacionin për pagesë në vlerë prej 6,224€ nuk ishin kryer”.

    E pagesë për punët e papërfunduara është bërë edhe në ndërtimin e infrastrukturës në zonën turistike, e cila ishte me një kontratë prej 15,600 euro, por pastaj janë vërejtur se janë paguar 4751 euro për punët që nuk janë realizuar.

    “Përkrahja dhe ndërtimi i infrastrukturës në zonën turistike, me vlerë të kontratës 15,600€, ky projekt ishte paguar në tërësi, por që punimet nuk ishin realizuar siç ishin përshkruar në situacionin në bazë të të cilit është faturuar dhe paguar. Nga ekzaminimi, kemi vërejtur se pozicionet e përshkruara në situacionin për pagesë në vlerë 4,751€ nuk ishin realizuar”.

    Sipas raportit të ZKA-së një parregullësi e tillë nga Komuna e Ferizajt ndikon në dëmtimin e buxhetit.

    Ndërkohë që i është rekomanduar kryetarit të Ferizajit, Agim Aliu, duhet që t’i përforcojë kontrollet në procesin e menaxhimit të kontratave që të sigurohet se pagesat të bëhen pas dëshmive për kryerjen e punëve.

    Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Komunën e Ferizajt lidhur me këto pagesa, ndonëse që nuk janë realizuar projektet, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë ndonjë përgjigjje/GazetaInsajderi/.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark