×
  • Lajme
  • Insajderi

    Pas “Gmica Travel” qytetarët denoncojnë për mashtrim edhe “Dita Travel”

    Insajderi
    24 May 2022 - 11:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në Gazetën Insajderi, kanë arritur denoncime tjerë për mashtrim nga kompanitë turistike në vend. Gjatë ditës së djeshme është raportuar se si kompania “Gmica Travel” ka mashtruar disa qytetarë për kushtet e hotelit. Por jo vetëm “Gmica Travel”, është përfshirë në këtë mashtrim në ‘lojë’ futet edhe kompania turistike “Dita”. Ata kishin paguar për një ofertë dy ditore. Nisja bëhej të shtunën e 21 majit kthimi të dielën.

    F.Z (emër i njohur për redaksinë) kishte vendosur që së bashku me koleget e saj të kalonin vikendin në bregdetin malazez. Në ofertën që paguan nënvizohej se do të akomodoheshin në njëri prej hoteleve të Ulqinit.

    Agjendën e dinin që nga fillimi. Në ditën e parë do të vizitonin qytetin e Shkodrës pastaj Ulqinin, ku edhe do të akomodoheshin. Të nesërmen në ora 09:00, do ta lironin hotelin dhe do të vazhdonin vizitën për në Budva, Tivat e Kotor.  

    Por nuk ndodhi kështu. Ajo dhe miket e saj sipas tyre ranë pre e mashtrimit të dy kompanive “Dita Travel” ku e kishin bërë rezervimin e pastaj edhe të “Gmica Travel” e cila i dërgoi me autobus në Budva.

    Fillimisht ankesat i kishin ndaj kompanisë “Dita”, e cila nuk kishte as klimë në autobusin që po udhëtonte drejt vendeve bregdetare.

    Gjithçka nisi mbrapsht thotë njëra prej tyre. Përfunduam në Budva në një villë që nuk plotësonte kushtet për qëndrim.

    “Ofertën kemi parë dhe bërë me kompaninë turistike Dita, dhe kemi rezervuar per 10 persona, dhe ne vazhdimësi kemi qenë në kontakt”, ka thënë qytetarja për Insajderin derisa ofroi si dëshmi bisedën me përgjegjësit e “Dita Travel”.

    “Në ditën e realizimit të pushimit që në mëngjes nuk ka filluar mbarë, bartja nga Hip Petrol në Ferizaj  na kanë transferuar me një kombi-bus 12 persona ku ulëse kishte 8 dhe jemi ulur si kemi mundur”, deklaroi ajo.

    “Në Fushë Kosovë kemi hipur në autobusin e Ditës, dhe aty deri në Prizren sepse unë jam ankuar tek kompania direkt pasi autobusi nuk posedonte klime, ne ishim ulur në ulëset krejt mbrapa dhe udhëtimi ishte jo komod”, sqaron tjetra.

    Për të mos mjaftuar me kaq, këta udhëtarë mashtrohen se do të transferon më një autobus tjetër por të njëjtën kompani, pra “Dita”.

    “Shoferi i autobusit pasi kemi kryer pagesat, dhe pa asnjë kupon dhe bilete na transferoi me një autobus tjetër me pohimin se ishte i të njëjtës kompani”, vijon deklarimin denoncuesi.

    Por vetëm pastaj ata kuptojnë se do të kalojnë tek një kompani krejt tjetër. “Gmica Travel”. Sërish iu kërkojnë të kryejnë pagesë.

    “Ne autobusin e Gmicës, nga konduktori na është kërkuar pagesa, qysh aty filloi stresi dhe ngacmimi psikik për pushim”, thotë qytetarja tjetër.

    Se një transfer i tillë u bë për Gazetën Insajderi e konfirmoi dje edhe pronari i “Gmica Travel”, Miran Fejzullahu.

    “Rrugës duke shkuar për Budva një kompani ka pasur udhëtarë më tepër në Prizren, nja 15 dhe më ka thënë a po i merr këta njerëz, unë i kam thënë në rregull. Unë kam qenë vet aty, i kam thënë, të kam marrë pa rezervim ti ke qenë kompani tjetër. Ke pas me u akomodu në Ulqin jo në Budva”, tha Fejzullahu për Insajderin.

    Qytetarët thonë se u mashtruan dy herë nga dy kompanitë turistike. Nga “Dita Travel” e “Gmica Travel”.

    “Kur vizita nuk u realizua  në Shkodër ne kuptuam se autobusi në fjalë kishte ofertën për Budva, ndërsa ne kishim ofertën për në Ulqin akomodimin, pra ne të tradhtuar dy herë edhe nga Gmica për mos transparencë edhe nga Dita për moskonfirmim”, shprehet e mllefosur qytetarja.

    Për rastin deklaruan se u njoftua edhe Policia në Malin e Zi.

    “Turmës për mospajtim iu kam bashkangjitur e thyer dhe mjaft e zhgënjyer dhe personalisht unë me telefonin tim kam thirrur (kolegia ime ka folur për arsye të gjuhës) policinë e Malit të Zi që menjëherë iu kanë përgjigjur rastit”, sqaron tjetra prej denoncuesve.

    Njëra nga denoncueset për Insajderin, paralajmëroi edhe padi ndaj kompanisë “Dita”.

    ‘Ne jemi të zhgënjyer me kompaninë Dita dhe rastin kam filluar me Gjykatë për palë juridike, që nesër do ofroj dëshminë time në gjykatë nivel komunal”, u shpreh ajo derisa shtoi se kompanitë jo serioze duhet të marrin vendin meritor.

    Për rastin Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe kompaninë “Dita Travel”. Pronari i saj, Hajdar Dili jep një version krejt tjerë nga denoncueset.

    “Autobusi ka qenë edhe me 43 pasagjerë të tjerë dhe zonja në fjalë nuk kanë ditë çka kanë kërku. Autobusi në të cilin kanë qenë ka qenë i jashtëzakonshëm. Ato kanë pasur ankesa, jo këtu nuk po punojka klima, ju kamë thën zonjë është ora 09:00 e mëngjesit hale. Rregullat janë kur lëshohet e kur ndalet klima ose muzika, janë rregullat e komunikacionit. Ti kur të paguash për një udhëtim kolektiv, duhet me i ditë këto gjëra. Nuk mundet me ju ngu veç qefet e juaja”, ka thënë ai për Insajderin.

    Sipas tij ato me vete dëshire kanë pranuar largimin nga autobusi i tij.

    “Ato kanë zbritë me duartrokitje, ma mirë me flejt në Budva se sa në Ulqin. Derisa kanë hip në autobus, kanë fy kanë ofendu, ky autobus llom, pa klimë, kompani e fëlliqte”, tha pronari i kompanisë “Dita”.

    “Njëra prej atyre udhëtarëve ka qenë edhe në javën e kalume me të njëjtin autobus nuk ka pasur ankesë, tani kur ka ardhë në grup në njëfarë aspektin herë fol njëra herë tjetra nuk e kanë ditë as çka po dojnë”, u shpreh ai.

    Për këto oferta qytetarët po paguajnë 45 euro për person.

    Gazeta Insajderi ka siguruar edhe pamjet se si qytetarët refuzonin të hynin në hotelin ku nuk kishin rezervuar me arsyetimin se kushtet ishin “katastrofale”.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark