Malisheva ka shkruar historinë sot, duke arritur që të sigurojë inkuadrimin në Superligë për herë të parë, shkruan Insporti.
Skuadra e drejtuar nga Arsim Thaqi e mbylli sezonin me 60 pikë dhe shënoi fitore 0-3 në udhëtim te Vëllaznimi, duke arritur të shpallet kampione në Grupin A dhe duke siguruar kështu inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar për sezonin e ri.
Pas kësaj ngjitjes në Superligën e Kosovës, për Insportin ka folur sensacioni i këtyre ditëve, Albion Rrahmani, apo siç po quhet ndryshe nga komentatori i njohur, Bedri Krasniqi, ‘Lewandowski i Malishevës’.
Rrahmani ka treguar se ngjitja në Superligë është një emocion i veçantë,
“Është një emocion shumë i veçantë, jam shumë i lumtur për klubin tim që arritëm qëllimin që të shpallemi kampion” – tha Rrahmani për Insportin.
Sulmuesi ia dhuroi komentatorit fanellën dhe tregon arsyen pse e bëri këtë: “Ja kam dhuru sepse me pak fjalë e meriton”.
Rrahmani ndër tjera bëri edhe një paralajmërim për klubet e Superligës, duke thënë se nuk do të jenë pjesë e saj vetëm si numër.
“Patjetër që duhet të frikësohen, nuk do të jemi pjesë e Superligës vetëm si numër” – përfundoi Rrahmani për Insportin.