×
  • Lajme
  • Insajderi

    Pas raportimit të Insajderit – Prokuroria ngritë aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit

    Insajderi
    14 October 2022 - 14:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, për shkak të mosdeklarimit me kohë të pasurisë.

    Këtë për Gazetën Insjaderin e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

    “Po është e vërtetë që Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër R.H për mos deklarim të pasurisë”, tha Ulaj për Insajderin.

    Me 15 mars të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetimet kundër ministres Rozeta Hajdari pas mosraportimit të biznesit në formularin e pasurisë, vitin e kaluar.

    “Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse”, thuhet në përgjigjen e Kundër Korrupsionit pas pyetjeve të Gazetës Insajderi.

    AKK ka nisur hetimin pas hulumtimit të Gazetës Insajderi me titull: Shteti nuk e vëren pasurinë e fshehtë të Rozeta Hajdarit, Insajderi zbulon biznesin ‘sekret’ të saj.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, s’e ka deklaruar biznesin e saj në Agjencinë Kundër Korrupsion.

    Hajdari në formularin e zbardhjes së pasurisë, nuk ka treguar se është pronare e “R&V Consulting”, biznes ky që është aktiv në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

    Ministrja këtë biznes e ka hapur qysh në dhjetor të vitit 2008, i cili për aktivitet primar e ka këshillimin e bizneseve për menaxhim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Këtë kompani, ministrja Hajdari, e ka ‘prezantuar’ vetëm në profilin e saj në Linkedin, por në asnjë rrjet tjetër social.

    Aty shkruan se Hajdari ka qenë në krye të kësaj kompanie nga janari i vitit 2009, deri në shkurt të vitit 2020, kur është votuar qeveria Kurti 1, por pavarësisht kësaj biznesi vazhdon të jetë aktiv në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.

    Ministrja nuk e ka njoftuar ARBK-në, institucion ky që funksionin brenda dikasterit të saj, nëse ajo i ka kaluar aksionet tek ndonjë idivid tjetër, ose nëse i ka shitur ato – në faqen ku figurojnë bizneset – “R&V Consulting” vazhdon të jetë në emër të saj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur ministren Hajdari, pse nuk e ka deklaruara kompaninë në AKK, por e njëjta ende nuk ka kthyer përgjigje.

    AAK bën kallëzim kundër Rozeta Hajdarit për mosdeklarimi me kohë të pasurisë

    Agjencia Kundër Korrupsionit me 16 mars ka bërë kallëzim penal ndaj ministres së Industrisë, Rozeta Hajdarit

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i AKK, Yll Buleshkaj, i cili tha se kallëzimin penal e ka dorëzuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë Buleshkaj, transmeton Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi mëson se kallëzimi penal ndaj Hajdarit është bërë për shkak se e njëjta nuk e ka deklaruar në kohën e paraparë pasurinë e saj, por disa ditë më vonë.

    Procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të gjithë zyrtarët e lartë publikë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencisë Kundër Korrupsionit fillon zakonisht më 1 mars, dhe përfundon më 31 të po atij muaji, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për kallëzimin penal ndaj saj, ka reaguar edhe ministrja Hajdari.

    “Sot u njoftova nga mediat se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka dorëzuar kallëzim penal kundër meje për gjoja mosdeklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë. Gjatë gjithë kohës si zyrtare publike, unë kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhen në faqen e AKK-së”, ka shkruar Hajdari në profilin e saj në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

    Sa e pasur është Rozeta Hajdari?

    Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në formularin e pasurisë të vitit 2021, ka deklaruar se një banesë dh një veturë.

    Hajdari ka kallëzuar se e ka një banesë 60 metra katror, të cilën e ka blerë 50 mijë euro nga kursimet dhe pagat e saj.

    E para e MINT posedon edhe një veturë Ford Fiesta, të cilën e ka blerë në vitin 2005, dhe kushton afërsisht 3 mijë euro.

    Ajo poashtu ka deklaruar se merr 1 mijë e 321 pagë nga buxheti i shtetit, për postin që mban.

    Rozeta Hajdari në qeverinë Kurti 1 ka mbajtur pozitën e ministres së Ekonomisë, Tregtisë dhe Financave, ndërsa në qeverinë Kurti 2 mban pozitën e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kur e deklarojnë pasurinë zyrtarët e shtetit?

    Procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të gjithë zyrtarët e lartë publikë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencisë Kundër Korrupsionit fillon zakonisht më 1 mars, dhe përfundon më 31 të po atij muaji.

    Sivjet deklarimit të pasurisë do t’i nënshtrohen rreth 4737 zyrtarë të lartë publikë, proces ky që ka nisur në fillim të muajit, dhe do të zgjasë edhe 16 ditë.

    “Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, ri-kujton të gjitha subjektet deklaruese se mos-deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publik, konform obligimeve ligjore, detyron Agjencinë kundër Korrupsionit që të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e AKK-së të lëshuar më 11 mars, ku tregohet se 600 zyrtarë publikë e kanë deklaruar pasurinë deri atë ditë./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark