
Shefi i Grupit Parlamentarë të PDS-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas shpërthimit të zjarrit në hapësirat e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Sipas Tahirit, pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit dhe fyerjeve të udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë ndaj ekspertëve mjeko-ligjor, është cenuar besimin e publikut në këto institucione.
Tutje, deputeti ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta trajtoj në mënyrë urgjente përpjekjet e vazhdueshme, siç i ka cilësuar ai, të Qeverisë për të degraduar punën dhe imazhin e IML-së.
Ky është postimi i plotë i Abelard Tahirit:
Djegia e zyreve të punës së ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në mëngjesin e ditës së sotme është tepër shqetësuese, prandaj edhe rrethanat e shkaqet duhet të zbardhen sa më parë.
Pas skandalit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, dështimit për të shtuar kapacitetet e mbrojtjes dhe të sigurisë së IML-së, sulmeve dhe fyerjeve të udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë ndaj ekspertëve mjeko-ligjor, ka cenuar thellë edhe besimin e publikut në punën e këtij institucioni, i cili si i tillë, është në vartësi të drejtpërdrejtë menaxheriale të Ministrisë së Drejtësisë.
Përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të degraduar punën dhe imazhin e IML-së, kërkojnë trajtim urgjent edhe nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.