×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Pazari afro 80 mijë eurosh i MFSK-së me mikun e ministrit Mehaj

    Insajderi
    26 May 2022 - 15:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania e derivateve “Kastrati SH.P.K”, ka fituar tender në vlertë 82 mijë euro nga Ministria e Mbrojtës për furnizim me derivate automjetet e MFSK-së. Kjo kompani e derivateve drejtohet nga biznesmeni Valon Kastrati për të cilin Insajderi mëson se është mik i afërt i Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. Insajderi ju sjell detaje.
    _________

    Ministria e Mbrojtës ka shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik “Kastrati Sh.P.K” për “Furnizim emergjent me karburant derivate për automjete” për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Sipas dokumentit të siguruar nga Insajderi, vlera e kësaj kontrate pas negociatave është 82.111.00 Euro e nënshkruar me  11 maj 2022.

    Në letrën e shpallur për tenderuesin e suksesshëm potencohet se kompania “Kastrati SHPK” ka  dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët si përgjigje për njoftimin e kontratës.

    Mirëpo, Gazeta Insajderi ka mësuar se biznesmeni Valon Kastrati është mik shumë i afërt i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj.

    Këtë e konfirmon edhe vet ministri ku në profilin e tij në Facebook ka shkruar se e ka vizituar Valon Kastratin, “mikun tim” dhe familjen e tij.

    “Sot vizitë familjes së mikut tim Valon Kastrati…”, shkruan mes tjerash ministri Mehaj në postimin dedikuar mikut të tij të cilin e shpërblen me tender mbi 80 mijë euro.

    Para kompanisë “Kastrati SHPK”, MM dhe FSK e ka furnizuar me derivate kompania tjetër “Petrol Company” por asaj iu është ndërprerë kontrata.

    Insajderi është interesuar të marr një përgjigje se mbi çfarë bazash kanë larguar kompaninë e vjetër dhe kanë shpërblyer një kompani tjetër, por pas një jave e më shumë pritje nuk ka marrë përgjigje.

    Sipas të dhënave, Ministria e Mbrojtjes, kishte lidhur kontratë me Petrol Company më 26 korrik të vitit 2021, për furnizim me benzinë, gaz natyror, naftë dhe produkte të ngjashme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vlerë prej 128 mijë eurosh./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark