×
  • Lajme
  • Aktuale

    Pazari me PDK-në dëmton Përparim Ramën, e detyron që të shkelë premtimin për historianen e artit

    Insajderi
    11 January 2022 - 12:30

    Kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Ramës i kanë nisur problemet me emërimin e drejtorëve të drejtorive, ende pa nisur mirë punën në krye të kryeqytetit. Pazari me Partinë Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje, ia ka prishur matematikën. Ai i kishte premtuar Drejtorinë e Kulturës, historianes se artit, Vesa Sahatçiu, drejrori kjo që tash e ka marrë PDK-ja. Sahatçiu ka mbetur pa këtë pozitë tashmë.

    Vesa Sahatçiu, është historiane e artit dhe hulumtuese e modernizmit në Kosovë dhe Ballkan në art dhe arkitekturë.

    Ajo së fundmi është parë në një takim të rëndësishëm që e kishte kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me Ministrin e  Kulturës, Hajrullah Çeku.

    Në takimin e 29 dhjetorit, ku Rama ka kërkuar bashkëpunim për projekte të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të komunës nga ministri, me veti kishte marrë edhe Vesa Sahatçiun.

    Burime të Gazetës Insajderi, kanë thënë se Vesa Sahatçiut i është premtuar posti i drejtoreshës për kulturë në komunën e Prishtinës, nga Rama. Por ky premtim është shkelur, pas “koalicionit” mes LDK-së dhe PDK-së.

    Futja e PDK-së në qeverisje në Prishtinë i ka prishur matematikën Përparim Ramës. Kjo  drejtori tash i takon PDK-së, sipas burimeve të Gazetës Insajderi. Rrjedhimisht Sahatçiu, që është edhe mikeshë e Ramës, ka mbetur pa postin që i ishte premtuar.

    Megjithkëtë ende nuk dihet se kush nga PDK-ja, do të jetë në krye të Drejtorisë së Kulturës.

    Gazeta ka kontaktuar Sahatciun, por ajo nuk pasur koment në lidhje me situatën, ka thënë se do të flas pas disa ditësh për këtë çështje.
    “Tash për tash nuk kam koment“, tha ajo shkurt për Gazetën Insajderi.

    Vesa Sahatçiu studioi historinë e artit dhe teorinë e artit bashkëkohor në Universitetin Goldsmiths dhe Universitetin e Auckland. Në vitet e fundit ajo ka hulumtuar modernizmin e lartë në Kosovë dhe Ballkan në art dhe arkitekturë.

    Ajo gjithashtu ka punuar edhe për Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe projekte tjera të rëndësshme.

    Gazeta ka raportuar javën e kaluar për negociatat e natës mes LDK-së dhe PDK-së për ndarjen e pushtetit në Prishtinë.

    PDK kishte kërkuar nënkryetarin dhe pesë drejtori. Atë të Inspeksionit, Planifikimin Strategjik, Arsimin, Shërbimet Publike dhe Kulturën.

    Mirëpo, LDK kishte refuzuar kërkesën e PDK-se për dy drejtori.

    “LDK ka refuzuar kërkesën e PDK-së për marrjen e drejtorisë së Kulturës dhe të Arsimit”, ka thënë ky burim për Insajderin.

    PDK ka shpërfillur refuzimin e LDK-se dhe është ngulur këmbë në negociata që edhe këto dy drejtori t’i barten PDK-së.

    Me 5 janar, Fehmi Kupina është zgjedhur Kryesuesi i kuvendit komunal të Prishtinës.

    Nga 42 asamblistë që ishin në sallë, ai mori 25 vota pro, duke marrë edhe përkrahjen e nëntë asamblistëve të PDK-së dhe nga një të Nismës e Lëvizjes për Bashkim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kupina u zgjodh në rundin e tretë, pasi në dy rundet e para s’mjaftonin 25 votat. Në rundin e tretë mjaftonin votat e shumicës së atyre që votuan.

    Lëvizja Vetëvendosje qëndroi në sallë por nuk votoi, derisa AAK dhe AKR nuk ishin prezent në sallë për votimin e kryesuesit të LDK-së. /Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark