×
  • Lajme
  • Lajme / Shqipëri/Rajon

    PD-ja e Sali Berishës mbetet jashtë listave zgjedhore, Komisioni ia refuzon kërkesën

    Insajderi
    14 March 2023 - 18:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryekomisioneri i KSHZ, Ilirian Celibashi, në mbledhjen e sotme ka vendosur që Partia Demokratike të mos regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit.

    Celibashi këtë vendim e ka marrë pasi, sipas tij, deklarata e kandidimit duhet të jetë e nënshkruar nga kryetari i partisë dhe jo nga një person tjetër.

    “Qëndron që Basha është kryetar i PD, ligjërisht dhe nuk qëndron tjetri se Berisha është ai kryetar i PD. Mbi këtë fakt ka legjitimitet pala e Bashës, ose persona të autorizuar nga ai kanë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për regjistrim si subjekt zgjedhor. Por ky autorizim duhet të jetë plotësisht i qartë dhe i plotë. Dokumentacioni për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor, ka një mangësi themelore, deklarata duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kreu i PD, por rezulton e nënshkruar nga Alibeaj. Në bindjen time, deklarata solemne është një akt që nënshkruhet vetëm nga kreu i partisë. Sjell si shembull zgjedhjen e presidentit“, ka deklaruar ai.

    Kryekomisioneri ka shtuar gjithashtu se dorëheqja e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partisë dhe mos njoftimi i KSHZ-së për një gjë të tillë është argument shtesë që kjo parti të mos regjistrohet në listën zgjedhore.

    “Nga ju u pretendua se është fakt i njohur se Basha ka dhënë dorëheqjen dhe s’mund të nënshkruajë. Vjen në kontradiktë me veprimet nga ana juaj, në vlerësimin tim nuk ka bazë ligjore. Kur është rasti të legjitimojë ty z. Sefa si përfaqësues Basha është kryetar. Kur ju kërkohet që deri sa është kryetar, duhet të përmbushë detyrimet që i ngarkon Kodi ju sillni në vëmendje pretendimin se ka dhënë dorëheqjen”, ka deklaruar Celibashi.

    “Në këtë rast duhet që organet e partisë të depozitojnë në gjykatë njoftimet përkatëse, vendimet e mundshme të organeve përkatëse, duhet të depozitohen në regjistrin e partive. Kështu edhe në rastin konkret Basha ka dhënë dorëheqjen prej 2022, prej Bashës nuk ka asnjë dokument në lidhje me administrimin e dorëheqjes së tij. Duhet ta kishit depozituar dorëheqjen në gjykatë”,ka shtuar ai.

    Ndërkaq, Celibashi vendimin e tij e ka bazuar në deklaratën e nënkryetarit të partisë, të cilen e ka cilësuar si të pabazuar ligjërisht.

    “Organet e tjera drejtuese, kanë patur rreth një vit kohë për të bërë depozitimet e akteve në regjistrimin e partive, vetëm kështu kushdo tjetër kishte kompetencat e kreut të PD edhe pa qenë kryetar. Në kushtet kur nuk është bërë depozitimi I dorëheqjes, atëherë Alibeaj si nënkryetar mund të pranohet se i ushtron disa kompetenca, por jo të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë e kryetarit. Ndaj në kushtet kur deklarata nuk është sipas ligjit.  Kërkesa e PD për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet”, ka thënë Celibashi.

    Vendimi mund të ankimohet në Komisionin e Ankesave në afat prej 3 ditësh.

    Kujtojmë se me 14 maj pritet të mbahen zgjedhjet lokale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark