×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    ​Peci reagon pas rrahjes së të riut serb në veri: Qeveria dhe ndërkombëtarët po dështojnë të mbrojnë serbët nga Vuçiqi

    Insajderi
    15 December 2022 - 13:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka reaguar pas deklaratave të një qytetareje serbe se një i afërm i saj është torturuar në veri të vendit, duke i pamundësuar ta dërgonte nënën e tij në spitalin e Mitrovicës. Ai ka thënë se ky akt tregon për gjendjen e rënduar në veri, për çka ka shtuar se më së shumti po e vuajnë qytetarët serbë që jetojnë në këtë pjesë.

    Eksperti i sigurisë kritika ka hedhur për Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare për të cilët ka thënë se kanë dështuar të mrbojë qytetarët serbë nga “mbrojtja” e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Në pozitën më të vështirë në veri të Kosovës është popullata serbe dhe atë nga kombinimi i kriminelëve me maska dhe barrikada. Këta kriminele, jo vetëm që rrahin dhe maltretojnë individë të komunitetit serb, por edhe shkojnë aq larg sa që personave të sëmurë ju pamundësojnë marrjen e ndihmës mjekësore. Rrahja e djeshme e të riut te komunitetit serb nga këta kriminele, i cili nënën e vet që kishte pësuar sulm ne zemër dëshironte ta dërgonte në spitalin e Mitrovicës tregon nivelin e gjendjes e rënduar të kësaj popullate të shkaktuar nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Në mbrojtjen e kësaj popullate prej ‘mbrojtjes’ së Vuçiqit është duke dështuar si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe prezenca ndërkombëtare në këtë pjesë te vendit. Ky rast duhet te jetë zile e alarmit se kjo gjendje nuk mund te vazhdojë, pikë se pari për arsye humanitare dhe të sigurisë njerëzore”, ka shkruar Peci në profilin e tij në Facebook.

    Ai ka thënë se shpreson që gjatë ditëve në vijim të largohen barrikadat dhe se do të fillojë normalizimi i jetës për qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të vendit.

    Ndryshe, një qytetare serbe ka thënë se të mërkurën tezja e saj ka pësuar atak kardiak pasi bandat terroriste serbe që po qëndrojnë në barrikadat e vendosura në veri të vendit kanë torturuar djalin e saj duke mos e lënë ta dërgojë nënën në spital e as të blejë ilaçe.

    Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

    Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

    Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.

    Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark