×
  • Lajme
  • Insajderi

    Për një “R”, në RTK u keqpërdorën 372 mijë euro, televizioni publik pagoi për 5 vjet kompaninë e gabuar

    Insajderi
    07 October 2021 - 13:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në vend të KRU “Pastrimi”, Radio Televizioni i Kosovës i pagoi për rreth 5 vjet, mbi 372 mijë euro kompanisë “Pastimi”.

    “Pastimi”, nuk ishte KRU “Pastrimi”, i mungonte në emërtim shkronja “R”, e mjaftueshme për të përfituar pagesa mujore deri në 8 mijë euro, për shërbimet që nuk i ka kryer asnjëherë.

    Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, në të cilin ka raportuar edhe drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati.

    RTK ka derdhur para në xhirollogarinë e kësaj kompanie duke pretenduar se është duke i paguar faturat kompanisë rajonale, KRU “Pastrimi”.

    Drejtori gjeneral i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati ka thënë se kjo kompani ishte regjistruar në sistem nga një punëtor i RTK-së i cili tashmë është dënuar për veprimin.

    Drejtori i RTK-së ka theksuar se kjo ka nisur në vitin 2008 dhe ka zgjatur rreth pesë vite.

    “Një punëtor tek ne e ka regjistru një kompani, “Pastimi”, pa ‘r’ dhe në mënyrë të vazhdueshme RTK ka derdh para, deri sa është evidentuar. Dëmi është diku rreth 372 mijë euro. Pala me sa e di është dënuar por ne jemi dëmtuar”, tha ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani shprehi shqetësime se si një gjë e tillë ka vazhduar pa u vërejtur nga zyrtarë të tjerë të cilët kanë nënshkruar kontratat.

    Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se është absurde që kjo të mund të vazhdojë për disa vite me radhë pa u vërejtur.

    “Një gjë e tillë mundet me vazhdu për 3 muaj, hajde 6 muaj por për 4-5 vjet është absurde. Diku rreth 7-8 mijë euro në muaj është shumë pa u vërejt”, tha ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark