×
  • Lajme
  • Insajderi

    Përjashtimi i djalit të Fadil Vokrrit- Aleanca e Agim Ademit me biznesmenin në arrati

    Insajderi
    23 March 2022 - 22:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Biznesmeni në arrati Abedin Salihu i ka dalë në ndihme sot Agim Ademit, të akuzuarit për rrahje e kërcenim. Kjo aleance mes dy personave që ndiqen nga organet e rendit bëri që djali i Fadil Vokrrit të përjashtohet nga gara për kreun e FFK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    Biznesmeni në arrati më 20 dhjetor të viti të kaluar kishte dhënë dorëheqja nga posti i kryetarit të klubit futbollistik “FC Ulpiana”. Ai ishte zëvendësuar nga Bujar Shabani, nënkryetari i këtij klubi.

    Por, tjetër delegate kishte nominuar Salihu për Federatën e Futbollit të Kosovës, që të vihen në shërbim të Agim Ademit.

    Enver Duriqi dhe Ylli Jashari ishin nominuar nga Salihu si delegat të FFK-së. Që të dy këta delegatë e kanë mbështetur Agim Ademin për president të FFK-së.

    Pasardhësi i ‘FC Ulpianës’, Bujar Shabani, është zëvendësuesi i biznesmenit Salihu i cili ka mbështetur kundërshtarin më të madh të Agim Ademit, Gramos Vokrrin për kandidaturën e kryetarit të FFK-së.

     “Lidhur me nënshkrimet e KF Ulpianës, FFK njoftoi se dy nga delegatët, Enver Duriqi dhe Ylli Jashari e kanë mbështetur Agim Ademin për President të FFK’së. Ndërsa, zëvendës presidenti, Bujar Shabani e ka votuar Gramoz Vokrrin”

    Pas arratisjes jashtë vendit të biznesmenit Abedin Salihut, Agim Ademi ka vendosur të mos e marrë për bazë pozitën e Bujar Shabanit.

    FFK nuk e ka pranuar nënshkrimin mbështetës të Bujar Shabanit për kandidaturën e Gramoz Vokrrit. Edhe pse ishte zëvendësues i Abedin Salihu, ish-presidentit e donatori të klubit futbollistik “FC Ulpiana”.

    Federata ka marrë për bazë vetëm nënshkrimet mbështetëse të dy delegatëve Enver Duriqi dhe Ylli Jashari, të cilët gjithmonë kishin qenë pjesë e krahut të Agim Ademit.

    “LRFP ka konstatuar se Bujar  nuk është person kompetent për ta bërë caktimin e delegatëve, dhe si të vlefshme i ka marrë nënshkrimet e Enver Duriqit dhe Ylli Jasharit”

    Gramoz Vokrri është djali i legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrrit, njëherit edhe kundërkandidati i vetëm i Agim Ademit.

    Gramoz Vokrri me 16 mars ka dorëzuar në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës nënshkrimet e mbledhura për të kandiduar për postin e të parit të FFK-së.

    Por, komisioni i FFK-së ia ka refuzuar sot kandidaturën Gramoz Vokrrit për kryetar. Organi më i lartë i futbollit në vend ka kontestuar nënshkrimet e klubeve si Kika, Ulpiana dhe Prishtina për Gramoz Vokrrin.

    Ndaj këtij refuzimi ka reaguar Arianit Ahmeti, ish-zëvendës sekretari i përgjithshëm i FFK-së, duke nxjerrë në pah manipulimet që po bëhet nga krahu i Agim Ademit, për ta pastruar terrenin që ky i fundit të arrijë postin e kryetarit në mënyrë më të lehtë.

    “Në vazhdën e skandaleve të FFK-së, vije skandal i radhës: Në vendimin e publikuar nga FFK në të cilin thuhet kinse refuzohet aplikimi i z. Gramoz Vokrrit për tu kandiduar. Ky vendim është SKANDALOZ!”

    Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm edhe për një mandat tjetër në krye të shtëpisë së futbollit kosovar.

    Kush është Albedin Salihu, multimilioneri që mbanë krahun e aleancës së Agim Ademit

    Multimilioner kosovar, Abedin Salihu, është njëri nga të dyshuarit për rastin “Brezovica”. Gazeta Insajderi merr vesh se biznesmeni ka ikur nga shteti, pavarësisht se është në kërkim të Policisë.

    Abedin Salihu, pronari i kompanisë ndërtimore “Dino”, hotelit “Brezovica”, dhe presidenti e donatori i klubit futbollistik “FC Ulpiana”, ka ikur nga Kosova.

    Kjo pasi, shteti ka dështuar ta kap atë gjatë aksionit të bastisjes në shtëpinë e tij në Lipjan, në fillim të marsit, për shkak të përfshirjes së tij në rastin “Brezovica 3”.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se biznesmeni multimilioner ka dalë jashtë vendit, pavarësisht se është në kërkim nga Policia.

    Këtë fakt e vërteton edhe një dokument i nxjerrë nga klubi i tij, “Ulpiana”, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Letra e FK “Ulpiana” për FFK-në

     “Ju njoftojmë se KF Ulpiana 1926, se Kryetari i KF Ulpiana 1926, është Abedin Salihu, i cili edhe pse nuk gjendet në Kosovë për arsye të tija, ai është ende Kryetar i klubit”…, shkruan në letrën e ekipit ku zbulohet se cilët do të jenë delegatët e “Ulpianës” që do të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, që do të mbahet më 6 prill, transmeton Gazeta Insajderi.

    Ky dokument është dërguar në adresë të FFK-së, më 14 mars të këtij viti, nëpërmes Enver Duriqit, që është drejtor sportiv i KF “Ulpina”, nga Ylli Jashari, që është sekretar i ekipës që përfaqëson Lipjanin në Super Ligën e Kosovës./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark