Federata Ndërkombëtare e Basketbollit ka marrë vendim që ta përjashtojë përjetësisht gjyqtarin kosovar Daut Mehmetin, për shkelje të Kodit të Sjelljes dhe Integritetit të Federatës Botërore.
E në lidhje me këtë për Klankosova.tv është deklaruar kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, i cili ka thënë se e kanë pranuar vendimin, teksa shtoi se të njëjtin do ta zbatojnë.
“Ne e kemi pranuar vendimin e FIBA dhe natyrisht të njëjtin do ta zbatojmë. Kemi bashkëpunuar me FIBA-n gjatë tërë fazës së hetimeve që nga shfaqja e dyshimit të parë dhe kemi marrë lëvdata për angazhimin tonë proaktiv në këtë çështje”, u shpreh Fetahu.
Sipas njoftimit zyrtar të FIBA-s, sanksioni tashmë është vendosur ndaj gjyqtarit.
Arsyeja që ka sjellë dënimin për arbitrin 37-vjeçar janë bastet dhe trukimet e paligjshme të disa ndeshjeve që ai ishte thirrur për të gjykuar.