Përkundër premtimit elektoral nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti se Arbëria e Dobrajës do t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin “Sami Kelmendi”, një gjë e tillë megjithatë nuk do të ndodhë.
Skuadra nga Dobraja e cila vitin e kaluar u “penalizua” me rënie nga elita për shkak se nuk kishte stadium në Lipjan të gatshëm, do të vazhdojë të vuajë edhe sivjet në Ligën e Parë.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti pak para zgjedhjeve kishte premtuar se Arbëria do t’i luajë sivjet ndeshjet në stadiumin “Sami Kelmendi”, por këtë nuk e kanë aprovuar drejtuesit e klubit tjetër lipjanas, Ulpiana.
Ulpiana që garon në Superligën e Kosovës sivjet, ka kërkuar që Arbëria të gjejë një “shtëpi” tjetër pasi “Sami Kelmendi” është në dispozicion vetëm të skuadrës së Edlir Tetovës.
Sikur të mos mjaftonte kjo, FrontOnline merr vesh nga burime të sigurta se futbollistët e Arbërisë janë përzënë në mënyrën më të keqe nga “Sami Kelmendi” dy ditë më parë.
Derisa skuadra e Megzon Visokës po stërvitej të martën, disa zyrtarë të Ulpianës kishin ndërhyrë dhe ua kishin lënë në gjysmë stërvitjen Arbërisë.
Në lidhje me këtë, FrontOnline ka kontaktuar me klubin e Ulpianës, por të njejtit deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk janë përgjigjur.
Kështu, Arbëria nga Dobraja do të vazhdojë të stërvitet dhe t’i luajë ndeshjet si vendas në stadiumin me bari sintetik në Shtime.
Kujtojmë që stadiumi në Dobrajë ka nisur që disa vite, por që përkundër pritjeve, ende nuk janë finalizuar punimet.