×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Përkundër premtimit të Kurtit e Vitisë, pacientët po presin deri në 1 vit për rezonancë magnetike në Radiologji

    Insajderi
    12 October 2023 - 15:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në klinikën e Radiologjisë, pacientët janë duke u përballur me pritje të listave deri në vitin 2024 për të kryer Rezonancën Magnetike, shkruan Insajderi.

    Ani pse nuk kanë munguar premtime nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, se do të bëhet zgjidhje për zvogëlimin e listave të pritjeve, një gjë e tillë nuk po ndodhë.

    Gjatë një konference për media me 11 gusht Kurti dhe Vitia patën njoftuar se kanë sjellur një akselerator të dytë (pajisje kjo e nevojshme për pacientët me tumor) duke shtuar se kjo do të zvogëlonte listën e pritjes për pacientët e sëmurë që marrin shërbim nga ky aparat.

    “Shërbimi publik shëndetësor po zgjeron gamën diagnostike duke decentralizuar shërbimet, ofruar sa më afër qytetarit në spitalet regjionale dhe eliminuar listat e pritjes për shërbimet diagnostikuese me anë të Rezonancës Magnetike problem ky që ka përcjellë shërbimin publik me vite të tëra. Pas funksionalizimit të MRI- së në spitalin e Pejës muaj më parë, MRI – së në Spitalin e Pediatrisë këtë javë, pritet që edhe përgatitjet infrastrukturore për funksionalizimin e MRI- së në qytetin e Prizrenit të përfundojnë në vjeshtën e këtij viti”, kishte thënë Kurti.

    Mirëpo përkundër kësaj, pacientët janë duke vazhduar të presin për termine deri në vitin 2024.

    Pacientja M.B e cila i duhet të kryejë rezonancë magnetike të kokës, tha për Insajderin se po i duhet të pres terminin e caktuar deri më 9 shkurt të 2024.

    Ajo shtoi se për ta kryer rezonancën magnetike të kokës është duke pritur që nga marsi i këtij viti.

    “Unë prej marsit të këtij viti, ndërsa terminin për rezonance e kam me 09.02.2024, faktikisht 1 vjet me prit”, tha M.B për Insajderin.

    Rezonanca Magnetike për personat e prekur me tumor mund të bëhet edhe në spitale private, por a kanë mundësi pacientët ta përballojnë një shërbim të tillë në aspektin financiar?

    Për ta kryer Reconancën Magnetike pacientët e prekur me tumor, kanë mundësi edhe në klinika private. Sipas M.B e cila është duke pritur për ta kryer këtë procedurë në QKUK, tha se ka shikuar që ta bëjë në ndonjë spital privat, por çmimi është i lartë.

    Jo nuk e kam kry për besë se çmimi i lart, jam duke prit”, theksoi ajo për Insajderin.

    Në QKUK që nga janari i këtij viti është njoftuar se në funksion janë dy Rezonanca Magnetike, të cilat thuhet se janë duke punuar me kapacitet të plotë.

    Ndërsa në qershor të po këtij viti u njoftua nga Ministria e Shëndetësisë se në spitalin e pediatrisë në QKUK kanë filluar shërbimet e rezonancës magnetike.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Drejtoreshën e Klinikës së Radiologjisë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigjje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark