Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, z. Përparim Rama, e ka shpalosur programin e tij në të cilin ka paraparë shumë pika për arsimin në Prishtinë.
Në programin e Përparim Ramës potencohet se mungojnë 7 objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, të cilat ai dhe ekipi i tij planifikojnë t’i ndërtojnë në lagjet Sofalia, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave, dhe në lagjen Prishtina e Re – Qendër. Njëkohësisht, z. Rama planifikon poashtu ndërtimin e shkollës profesionale të ulët dhe të mesme të muzikës dhe baletit “Prenk Jakova” si dhe Gjimnazin “Ahmet Gashi”
Një pikë tjetër e rëndësishme e programit të z. Rama për arsimin është themelimi i një mekanizmi për fuqizimin e ndërlidhshmërisë së arsimit në Prishtinë me nevojat e tregut të punës. Siç potencohet në program, ky mekanizëm – i përbërë nga bizneset, udhëheqësit e arsimit, drejtorët e shkollave, prindërit, dhe kryetari i Komunës – do të subvencionojë trajnime për profilet që janë në mungesë në tregun e punës.
Disa pika tjera në programin e Përparim Ramës janë bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit për të zbatuar reformën në arsimin fillor dhe të mesëm; rregullimi i nyjeve sanitare në të gjitha institucionet edukativo-arsimore në nivel të komunës; rritja e sigurisë në shkolla; riorganizimi i rrjetit shkollor, “në mënyrë që mos te kemi shkolla me hapësira të mëdha e numër të vogël të nxënësve, e njëkohësisht të kemi shkolla me hapësirë shumë të vogël e numër të madh të nxënsve”; ndërtimi i objekteve të nivelit parashkollor në të gjitha lagjet ku ato mungojnë; mbështetja e shkollave të mesme profesionale të cilat kanë për synim aftësimin e nxënësve për prodhim, etj.
Deri më tani, z. Rama është i vetmi kandidat i cili ka bërë publik programin e tij, i cili është voluminoz, i detajuar, dhe gjithëpërfshirës. Programin e plotë të Përparim Ramës mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm: