×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Përshkallëzim dramatik i luftës teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës

    Insajderi
    19 October 2022 - 16:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përveç përballjes me pasojat e luftës që po zhvillohet në Evropën Lindore mes Rusisë dhe Ukrainës, bota është dëshmitare e fillimit të një lufte ‘teknologjike’ midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, shkruan Project Syndicate, transmeton Insajderi.

    Ky konflikt po përshkallëzohet me shpejtësi. Në fillim të këtij muaji, Departamenti i Tregtisë i SHBA-së prezantoi kufizime të reja të rënda për shitjen e gjysmëpërçuesve të avancuar dhe mallrave të tjera të teknologjisë së lartë amerikane në Kinë.

    Derisa Rusia po përdor raketa në përpjekje për të dëmtuar infrastrukturën e energjisë së Ukrainës, SHBA-të tani po përdorin kufizime të eksportit për të ‘dëmtuar’ ushtrinë, shërbimet e inteligjencës dhe të sigurisë së Kinës.

    Për më tepër, në fund të gushtit, Presidenti i SHBA Joe Biden nënshkroi Aktin CHIPS, i cili përfshin subvencione dhe masa të tjera për të forcuar industrinë e brendshme të gjysmëpërçuesve në Amerikë. Gjysmëpërçuesit janë dhe do të mbeten në qendër të ekonomisë së shekullit të njëzet e një. Pa mikroçipe, telefonat tanë inteligjentë do të ishin ‘telefona budallenj’, makinat tona nuk do të lëviznin, rrjetet tona të komunikimit nuk do të funksiononin, çdo formë automatizimi do të ishte e paimagjinueshme dhe epoka e re e inteligjencës artificiale në të cilën po hyjmë do të mbetej objekt i shkencës.

    Lufta e re për çipat është një luftë për kontrollin e së ardhmes. Dizajni dhe prodhimi i çipave në Amerikë nuk do të ishte i mundur pa pajisje të avancuara nga Evropa.

    Në ndjekjen e epërsisë teknologjike, Kina është bërë gjithnjë e më e varur nga këto çipe dhe qeveria kineze ka qenë në përpjekje për të rritur prodhimin vendas dhe për të arritur “vetëmjaftueshmërinë”. Në vitet e fundit, Kina ka investuar masivisht për t’u aftësuar në dizajnimin dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve. Por edhe pse ka pasur njëfarë progresi, ajo mbetet vite pas SHBA-së.

    Kanë kaluar dy vjet që kur SHBA-ja ndaloi të gjitha shitjet e çipave të avancuar për gjigantin kinez Huawei. Rezultatet kanë qenë dramatike. Pasi humbi 80% të tregut të saj global për telefonat inteligjentë, Huawei mbeti pa zgjidhje tjetër veçse të shiste njësinë e saj të smartfonëve, Honor. Me vendimet e fundit, SHBA-ja tani synon t’i bëjë të gjithë Kinës atë që i bëri kompanisë Huawei.

    Ky përshkallëzim dramatik i luftës teknologjikë supozohet të ketë pasoja po aq dramatike ekonomike dhe politike, disa prej të cilave do të jenë të dukshme menjëherë, dhe disa prej të cilave do të kërkojnë pak kohë për t’u materializuar. Kina me shumë mundësi ka rezerva të çipave dhe tashmë po punon për të krijuar rrjete të reja të sofistikuara për të anashkaluar sanksionet.

    Megjithatë, sanksionet e reja janë aq të gjera sa që, me kalimin e kohës, ato pothuajse me siguri do të japin një goditje të rëndë jo vetëm për sektorin e teknologjisë së lartë të Kinës, por edhe për shumë pjesë të tjera të ekonomisë së saj.

    Kina sigurisht që do të përgjigjet me përpjekje edhe më të forta për të zhvilluar aftësitë e veta, por çdo përpjekje shtesë do të marrë kohë për të dhënë fryte.

    Ukraina tashmë po riparon termocentralet që janë goditur nga raketat ruse që nga fillimi i pushtimit në shkurt të këtij viti. Por do të jetë shumë më e vështirë për Kinën të kapërcejë humbjen e teknologjike. Sado e frikshme të jetë lufta ruse e stilit të shekullit të njëzetë, burimet e vërteta të fuqisë në shekullin e njëzetë e një nuk qëndrojnë në pushtimin territorial. Vendet më të fuqishme janë ato që zotërojnë domenin ekonomik, teknologjik dhe diplomatik.

    GAZETA INSAJDERI

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark