Personazhi i 2 milionëshit të Thesarit kërkon të bashkëpunojë me ministrinë që gradualisht t’i kthejë paratë - Insajderi
×
Insajderi / Insajderi

Personazhi i 2 milionëshit të Thesarit kërkon të bashkëpunojë me ministrinë që gradualisht t’i kthejë paratë

Insajderi
31 October 2022 - 16:28
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group Sh.P.K” në llogarinë e  së cilës ishin transferuar 2 milionët e vjedhur nga Thesari i Shtetit, është deklaruar në gjykatë se do të bashkëpunoj me Ministrinë e Financave për t`i kthyer paratë gradualisht.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit, Labinot Gruda është mbrojtur në heshtje, ndërsa i akuzuari Kadri Shala u përgjigj vetëm në pyetjet e mbrojtësit të tij.

Shala, që ndodhet në gjykatë pasi që 2 milionë eurot e Thesarit ishin transferuar nga zyrtari Labinot Gruda, në llogarinë e kompanisë së tij “LDA Group Sh.P.K”, ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunoj me ministrinë, përcjell Insajderi.

Shala duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj, ka deklaruar se nuk ka pasur arsye t’i ndihmojë të akuzuarit Gruda për kryerjen e veprës penale.

Ai shtoi se i vjen keq për rastin që ka ndodhur, sipas tij i njëjti ka kërkuar në prokurori dhe kërkoi edhe sot që të bashkëpunojë me ministritë përkatëse që gradualisht t’i kthejë paratë.

Sipas të akuzuarit Shala, i njëjti ka qenë në Turqi kur ka kuptuar se paratë që i janë transferuar kanë qenë të Thesarit të Shtetit.

“Unë kam qenë në Turqi, deri kur kanë dalë në ato portalet dhe automatikisht kam kërkuar m’u kthy nga Turqia dhe me u sqaru”, tha ai.

Pas pyetjeve të avokatit Latifaj, i akuzuari shfrytëzoi të drejtën e tij të mbrohet në heshtje, shkruan Betimi për Drejtësi.

I akuzuari Gruda nuk foli, por mbrojtësi i tij, avokati Tahir Rrecaj deklaroi se pas konsultimit me të njëjtin, i akuzuari do të shfrytëzojë të drejtën e tij të mbrohet në heshtje.

Gjithçka kishte ndodhur të premten e 9 tetorit të vitit 2020, në ora 12:41. Ishin ekzekutuar mbi 2 milionë euro, në mënyrë ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K., me bazë në Llapushnik të Drenasit.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur për vetëm tetë minuta, sipas dosjes së Prokurorisë së Shtetit.

Nga Thesari tek kompania pronë e Valon dhe Kadri Shalës ishin kryer katër transaksione: 330 mijë euro; 375 mijë euro; 622 mijë euro; 750 mijë euro, dhe më pas ishin transferuar në disa xhirollogari të tjera. 

Pagesat ishin kryer nga i dyshuari kryesor, Labinot Gruda, i cili vazhdon te jetë në paraburgim, shkruan Gazeta Insajderi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark