×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Përurohet libri poetik “Angelus Novus” i Xhevdet Bajrajt

    Insajderi
    25 June 2023 - 20:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 28 qershor, 2023, ora 18:00, në restorantin “Soma Book Station” do të përurohet libri poetik “Angelus Novus” i poetit tashmë të ndjerë, Xhevdet Bajraj,

    Ky libër është një përmbledhje e poezive të lëna në dorëshkrim nga poeti i madh shqiptar, Xhevdet Bajraj, të cilat i ka botuar ditë më parë enti botues i klubit letrar “De Rada” në Ferizaj.

    “Promovimi i librit “Angelus Novus: nga poeti briliant Xhevdet Bajraj vjen si dëshmi se engjujt flasin përmes poezisë nga bota e përtejme,”, thuhet në njoftimin e organizatorit të këtij aktiviteti letrar. Në këtë përurim, sipas njoftimit, do të lexohen poezi nga libri në fjalë i Xhevdet Bajrajt.

    Ky libër u promovua ditë më parë edhe në Ferizaj, konkretisht në Galerinë e Artit në këtë qytet. Ky aktivitet ishte njëri ndër takimet e planifikuara në kuadër të Promo Hardh Festit, dedikuar përvjetorit të parë të largimit të Xhevdet Bajrajt nga kjo botë.

    Drejtori i Hardh Fest-it, Agron Sokoli, në vend të një minutë heshtje i ftoi të pranishmit për një minutë duartrokitje, sepse ‘heshtja nuk përkon me misionin e poetit’.

    Për vlerat estetike të këtij libri dhe për krijimtarinë e Xhevdet Bajrajt në përgjithësi folën Kliton Nesturi – shkrimtar dhe publicist, Sabit Rrustemi – shkrimtar, Agron Shala – publicist, Arsim Hamiti – kritik letrar, Zyrafete Shala – redaktore e librit, si dhe nga znj. Fatushe Haliti u lexua një vështrim kritik i poetit Xhevat Latifi. Gjithashtu, gjatë këtij takimi u lexuan edhe poezi të Bajrajt nga Zyhrije Vata, Agron Sokoli dhe Nina Ramadani.

    Në fund, të pranishmëve iu drejtua znj.Vjollca Bajraj, bashkëshortja e poetit, me ç’rast i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe falënderoi klubin “De Rada” dhe Ferizajn në përgjithësi, për nderimin që i kanë bërë poetit Xhevdet Bajraj për vite me radhë, duke i krijuar kështu një shtëpi të dytë në Kosovë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark