×
Insajderi / Insajderi

“Plani franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza” – Besnik Bislimi zbardhë detaje të propozimit

Insajderi
02 November 2022 - 12:04
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Versioni zyrtar i qëndrimit të Qeverisë së Kosovës rreth planit franko-gjerman pritet tu prezantohet  krerëve të Francës e Gjermanisë nga kryeministri Albin Kurti të enjten në procesin e Berlinit. Këtë e ka bërë të ditur Besnik Bislimi, i cili zbuloi detaje të këtij plani. Tha se në të “parashihet zgjidhja e kontesteve mes Kosovës e Serbisë në dy faza”

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka folur pak më në detaje rreth propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Thotë se propozimi është si pikënisje e brengës se Gjermanisë e Francës se procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur.

“Është një propozim që, mendoj, pak a shumë si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca, që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë. Andaj, edhe propozimi që del nga aty, është në kontekst të këtyre zhvillimeve”, tha zëvendësi i Albin Kurtit.

Sipas Bislimit, ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve mes Kosovës e Serbisë në dy faza, përcjell Gazeta Insajderi.

“Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, tha Bislimi për REL.

I pyetur rreth rezervave që mund të ketë Kosova rreth asaj që u është prezantuar nga Franca e Gjermania, Bislimi tha:

“Ne nuk i dimë rezervat e palës serbe për arsye se dokumenti deri më tani nuk është bërë publik dhe, rrjedhimisht, nuk mund të diskutohet në forume më të mëdha”.

Edhe pse deklarohet se dokumenti është parë nga një numër i vogël i zyrtarëve të Kosovës, thotë se nuk mund të jepen publikisht vlerësimet porse propozimet I kanë shkruar dhe dërguar tek krerët e Gjermanisë e Francës.

“Natyrisht që [dokumenti] është parë. Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”, tha Bislimi në intervistën për REL.

Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.

Por a pritet që propozimi të dal në publik si dokument pikërisht në Berlin ku Kurti do të flas më shumë në prani të Scholz dhe Makron?

Sipas Bislimit u takon krerëve të shtetit të vendosin, “por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më tej ka deklaruar se Bashkimi Evropian ende qëndron në idenë që u takon palëve të vendosin për tekstin në dokument

“Ajo që ka ndodhur me propozimin gjermano-francez nuk mund të prezantohet si qëndrim i BE-së, për shkak se Bashkimi Evropian është paksa më i gjerë dhe është fjala vetëm për iniciativën e dy shteteve anëtare të BE-së”.

Sipas Bislimit qasje e deri tanishme e Miroslav Lajçak,  nuk ka arritur të prodhojë rezultatin e pritur.

“Unë nuk e di se sa ka gatishmëri nga vetë zyra e zotit Lajçak për të marrë rol më agresiv në këtë proces, por e di që qasja e deritashme nuk ka arritur të prodhojë rezultatin e pritur. Madje, pavarësisht insistimeve të zotit Lajçak që elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të diskutohen në mënyrë konstruktive nga palët, nuk është se ka ngjallur shumë interes te Serbia”, tha Bislimi.

Bislimi më tej tha se Serbia nuk ishte konstruktive në takimin e fundit për të ofruar gjetjen e një formule për kornizën e marrëveshjes.

“Në takimin e datës 18 gusht, Serbia ka rezistuar të participojë në mënyrë konstruktive në gjetjen e një formulimi të përbashkët për atë se si do të duhej të dukej korniza e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajcak.

I pyetur nëse sipas planit franko-gjerman parashihet njohja nga pesë vendet e BE-së, por jo edhe nga Serbia a do të ishte kjo e pranueshme për Kosovën, Bislimi tha se tani nuk mund ta thotë se çka është e pranueshme e çka jo.

“Tash unë nuk mund të flas se çka do të ishte e pranueshme dhe çka jo, se po hy prapë në komentimin e elementeve të propozimit, të cilat nuk do të doja tani t’i komentoja. Por, fakti që qarkullon në media ideja se propozimi duhet të përfshijë njohjen nga pesë shtetet, tregon një vetëdijesim edhe të bashkësisë ndërkombëtare se sa e rëndësishme për një përfundim të suksesshëm të procesit të dialogut është njohja e këtyre pesë shteteve dhe sa problematik është fakti që këto pesë njohje po mungojnë deri tani”, tha Bislimi.

Bislimi më tej tha se Serbia deri tash në maksimum e ka shfrytëzuar mos njohjen nga këto pesë shtete por nëse do të ketë qasje konstruktive në dialog e din që do të rriteshin gjasa që ato ta njohin Kosovën.

“Kjo, sepse mendoj që Serbia ka arritur t’i eksploatojë në maksimum këto pesë mosnjohje deri tani duke rezistuar në qasje konstruktive. Sipas versionit serb, qasja konstruktive do të ishte vetë dëmtuese për ta, meqë një qasje konstruktive e Serbisë në dialog do të rriste gjasat për njohje nga Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro dhe kjo nuk është në interes të Serbisë. Prandaj, sa më parë që ta largojmë këtë adut që e ka Serbia, aq më shpejt do ta krijojmë një ambient të përshtatshëm për biseda serioze rreth marrëveshjes finale Kosovë – Serbi”, tha Bislimi. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark