Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër në Mesdhe, për shkak të bukurisë së plazheve dhe cilësisë së shërbimeve. Gjithashtu Shqipëria ofron peisazhe mahnitëse, si dhe njerëzit janë shumë mikëpritës. Kështu e ka nisur media italiane TGcom shkrimin e saj për Shqipërinë. Në artikull janë përmendur disa destinacione turistike të Shqipërisë, ku mund të kalohen pushimet mirë dhe duke mos harxhuar shumë para.
Saranda dhe jeta e natës- Saranda është pjesa më sharmante e bregdetit shqiptar. Saranda është e njohur për jetën e natës. Ajo ndodhet midis detit Jon dhe kodrave me ullinj, përballë ishullit të Korfuzit, pak kilometra larg Greqisë. Në sarandë ndodhen hotele luksoze me çmime të arsyeshme. Mund të zgjidhni të hani tek Kalaja e Lëkursit, të eksploroni sitin arkeologjik të Butrintit i cili është trashëgimi e UNESCOS me gjurmë të qytetarimit grek, ose mund të vizitoni teatrin e shekullit të 3 përpara krishtit dhe bazilikën paleokristiane.
Riviera e Ksamilit- Në jug të Sarandës ndodhet një tjetër dhuratë e natyrës, riviera e Ksamilit e cila cilësohet si perla e Jonit për bukurinë e saj. Në Ksamil ndodhen 4 ishujt, dy prej të cilave mund të arrihen edhe me varkë, ose duke notuar. Nuk është shumë i gjallë për jetën e natës, por është një zgjidhje perfekte për ata që duan të relaksohen, duke shikuar shkëmbinjtë e thepisur dhe bregun e detit.
Plazhi i Jalës i ngjashëm me Karaibet- Është një prej vendeve më të bukur të bregut Jonian, dallohet për rërën e bardhë, ujërat e kthjellët të rrethuar nga shkëmbinjtë dhe një bimësi me të gjithë aromat e Mesdheut. Ngjyrat ndryshojnë vazhdimisht dhe përzihen me tonalitetet e detit më të ftohtë në agim dhe më të ndezur në perëndim.
Pishat e Himarës- Të shëtisësh nëpër Himarë është mahnitëse, me aromën e pishave dhe shikimin drejt Jonit. Plazhet janë me shumë rërë dhe ujë mjaft të kthjellët. Është mahnitëse të zhytesh në ujërat e kristalta të Potamit, Livadhes apo Llamanit.
Mes natyrës dhe historisë në Porto Palermo- Uji duket si mëndafsh përpara plazhit të Porto Palermos dhe ofron një panoramë mahnitëse, të kështjellës së ndërtuar në 1818-ën nga Ali Pashë Tepelena, mbi rrënojat e një fortese veneciane. Gjiri është shumë bukur dhe i gjallë nga setet e shumta fotografike.
Gadishulli i Karaburunit- Është një thesar i natyrës që ofron mundësi të jashtëzakonshme dhe së bashku me ishulli e Sazanit, bëjnë pjesë në Parkun Detar Kombëtar. I pozicionuar pak kilometra nga Vlora dhe shumë i pasur me bimësi, mes gjireve të ujërave të kristalta e shpellës së piratëve, midis të cilave, shpella e Haxhi Aliut, që ka marrë emrin e piratit që e përdorte në rastet kur donte të fshihej.
Vlora- Në këtë qytet ndodhet porti i dytë më i madh në vend. Pak kilometra larg Tiranës. Vlora ofron plazhe tërheqëse, restorante speciale dhe dyqane mode. E përshtatshme për këdo që kërkon plazhe të bukura. Në Vlorë mund të vizitosh Lagunën e Nartës, ishullin e famshëm të Zvërnecit, ku ndodhet kisha e Shën Marisë, një manastir ortodoks i shekullit të 13.
Dhërmiu- Është një plazh shkëmbor i mrekullueshëm i pozicionuar ndërmjet Llogarasë dhe Sarandës. Ka një plazh ëndrrash, në të cilin ka dhe shumë peshq. Për të lënë pas zhurmat, mjafton të ecësh pak në këmbë dhe për pak kohë do të gjendesh përpara peisazheve blu.