Fokus i investimeve nga KEDS kësaj radhe ka qenë edhe fshati Stanoc i Drenasit. Pas përfundimit të projektit, janë plotësuar të gjitha nevojat energjetike dhe është rritur siguria për banorët.
Banorët shihen të gëzuar teksa flasin për investimet që ka bërë KEDS-i këtu.
Bajram Lika, banor i fshatit, thotë se me gjendjen e tanishme energjetike janë tejet të lumtur.
“Jo të kënaqur, po të shashtrisur jemi me gjendjen energjetike që kemi tani. Veç kush s’po don me pranu këtë realitet, se tash gjithçka është më së miri”, ka thënë ai. Bajrami e ka edhe një këshillë për të gjithë konsumatorët.
“Është mirë edhe me u mundu me kursy nga pak, sidomos ne në katund që po nxehemi me dru”, ka thënë ai.
Për këtë projekt, në fshat është implementuar nga ana e KEDS-it një trafo e re me fuqi prej 160 kVA, dhe janë riparuar dy trafot ekzistuese. Gjithashtu janë vendosur edhe 82 shtylla të reja tensionit të ulët edhe 49 shtylla të tensionit të mesëm. Është investuar në rrjetin e tensionit të ulët 9,7 km dhe 3,5 km të tensionit të mesëm.
Gjatë punës janë hequr të gjitha shtyllat e vjetra dhe janë zëvendësuar me të reja dhe përçuesit e vjetër janë zëvendësuar me përçues të ri, me kabllo të izoluar, ku edhe seksioni i përçuesve është vendosur më i madh dhe që i plotëson nevojat e banorëve për një kohë relativisht më të gjatë.
Edhe për Xhavit Ramën, po ashtu banor i këtij fshati, stabilizimi i energjisë elektrike është i mirëseardhur.
“Rryma është tepër e mirë tash, rreziku nuk ekziston. Kabllo të vjetra më nuk të sheh syri kërkund. Gjithçka është mirë”, ka përfunduar Rama.
KEDS po vazhdon me investime, dhe tashmë ka rregulluar tensionin dhe infrastrukturën energjetike për shumë vendbanime anekënd Kosovës.