Milani dështoi sërish në “San Siro”. Kuqezinjtë u mposhtën 0-1 nga Udinese, që siguroi suksesin e parë sezonal në Serie A pikërisht përballë skuadrës së Stefano Piolit.
Trajneri i Milanit nuk i kurseu kritikat në prononcimin pas ndeshjes, teksa u shpreh se kundër bardhezinjve ishte performanca më negative e periudhës së fundit.
“Ne nuk luajtëm një ndeshje të nivelit të lartë, sa më shumë që kalonte koha aq më e vështirë bëhej. Kishim mundësi të mira për të shënuar, por kjo është ndeshja më e keqe e periudhës së fundit.
Vuajtëm për të gjetur hapësira dhe për të lëvizur siç duhej. Duhet të punojmë në shumë aspekte. Na dhemb shumë kjo humbje. Po iki në shtëpi i zhgënjyer, por i vendosur për t’u përgatitur sa më mirë për PSG-në.
Ne e dimë se në Champions League na pret një ndeshje e rëndësishme, të cilën ne mund ta fitojmë. Tifozët na vërshëllyen, ata kanë arsyet e tyre për ndeshjen që zhvilluam.
Vërshëllimat e tifozëve ishin të drejta, sidomos ata që drejtoheshin ndaj meje. Ta pranojmë: duhet të përmirësohemi shumë.