Mauricio Pochettino ka pranuar se nuk e kishte menduar se do të ishte i mundur nënshkrimi i Paris Saint-Germainit me Lionel Messin.
Superylli argjentinas kaloi me bujë të madhe në kryeqytetin francez, pas vendimit për të mos e vazhduar kontratën me Barcelonën.
Ai debutoi me klubin parisien në takimin ndaj Reims, para se të shkonte te kombëtarja e Argjentinës për ndeshjet e përfaqësueseve.
Ndërkaq, të mërkurën pritet debutimin i tij në Ligën e Kampionëve me klubin e ri, në takimin që PSG e zhvillon kundër Club Brugge.
“Nuk mendoja se ishte e mundur, ndërsa kur një mundësi shfaqet dhe gjithçka shkon shumë shpejt, nuk arrin shpejt që ta procesosh”.
“Megjithatë, ekziston një lidhje: Të dy jemi argjentinas, të dy jemi tifozë të Newell’s (Old Boys), të dy vijmë nga Rosario”.
“Po ashtu, e kam admiruar për një kohë të gjatë kur jam përballur me të si kundërshtar, prandaj është gjë e mirë kur e kemi në stërvitje me ne. Shpresojmë që së bashku do të arrijmë atë që dëshiron klubi”, ka deklaruar Pochettino për faqen zyrtare të UEFA-s.