×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Poezia si univers paralel

    Insajderi
    25 August 2023 - 14:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Erl Kodra

    Më ka rastisur të lexoj shumë autorë – shqiptarë dhe të huaj – që përgjithsisht kanë shkruar poezi të mirë, por vetëm kaq; sepse poezia e tyre nuk mund të kalojë më përtej se sa të cilësuarit “e mirë”, madje edhe kjo e shprehur bujarisht. Kjo do të thotë se poezia nuk mund të jetë thjesht “e mirë” – sepse e thënë kështu – është një vlerësim relativ, i ngjashëm me vlerësimin që i bëhet një makine, ose çfarëdolloj gjëje tjetër që prodhohet, ndërtohet ose krijohet nga njeriu. Por poezia e mirë krijohet veç njëherë dhe në rrethana specifike, është e pangjashme me diçka tjetër të krijuar më përpara, dhe sigurisht që nuk mund të imitohet, as të shkruhet dy herë njësoj. Në këtë kuptim ajo është e papërsëritshme, si të thuash, një ekzemplar unik.

    Puna është se ata që merren me letërsinë janë opurtunistë të mëdhenjë, që vetëm në të rrallë mund të jenë të sinqertë, nëse kanë qenë ndonjëherë të tillë. Në të vërtetë ata janë njohës të mirë të poezisë, por çuditërisht, edhe pse nuk kanë asnjë arsye serioze që të sillen kështu, përsëri thonë gjëra të pavërteta dhe të pasinqerta, sa herë shkruajnë dhe flasin për letërsinë, veçanarisht për poezinë. Edhe pse poezia cilësohet si një art elitar, që mund të krijohet vetëm nga njerëz me talent unik, çuditërisht me këtë lloj arti delikat vazhdojnë të merren një shumicë individësh, që përgjithsisht nuk kanë lidhje me artin poetik. Kështu ka lindur njëlloj mesatarizimi i poezisë, ku është e vështirë të dallohet poezia e X-sit nga ajo e Y-silonit. Madje, kjo histori ka shkuar kaq larg, sa me një kërkim të thjeshtë krahasimor, mund të gjenden ngjashmëri të mëdha mes autorëve – shqiptarë me të huaj, shqiptarë me shqiptarë – sa nuk e di nëse po lexon Pessoa-n apo ndonjë kopjac të talentuar shqiptar.

    Borges thotë se […] të menduarit e letërsisë nga pikëpamja e rrymave, apo nga pikëpamja e brezave është një zakon i keq francez. Floberi ka thënë: “Kur një varg është i mirë, nuk i përket më rrymës së tij letrare”, dhe shton: “Një varg i mirë i Bualoit vlen njëlloj sa një varg i mirë i Hygoit.” Dhe është e vërtetë: kur një poet ia del mbanë, ia del mbanë përgjithmonë; dhe pak rëndësi ka estetika që ai predikon, apo epoka në të cilën shkruan: ai varg është i mirë dhe është i mirë përgjithmonë […].

    Autorët tanë jo vetëm që nuk dallojnë nga njëri tjetri, por çfarë është më e keqja, duket se ata as që duan të dallojnë. Ata ngjajnë mjaft të kënaqur kur vazhdojnë të citohen për inerci si autorë të mëdhenjë të poezisë, por që në fakt, edhe vet e dinë se nuk kanë lidhje me madhështinë. Kështu është krijuar poezia e rrymave dhe e stileve të ngjashme, që rrotullohen rreth ujrave të njëjtë, përndryshe poezia uniforme.

    Poezia e mirë ose është e tillë, ose nuk është. Dhe këtë e dinë fare mirë jo vetëm poetët, por edhe kritikët dhe lexuesit e pakët të poezisë. Një poezi nuk është fare e mirë pse autori është i njohur, sa ç’është Ismail Kadare përshembull, por ajo është e mirë vetëm nëse është e tillë; nëse vargjet janë unike, të papërsëritshme, me njëlloj alkimie fjalësh që nuk mund të thuhen në asnjë formë tjetër, në asnjë variant tjetër. Poezia e mirë nuk bëhet pse autori mund të ketë patur ide, as pse mund të ketë përdorur vargje klasike, vargje të lira, apo stil surrealist. Një poezi është e mirë sepse ashtu vjen, ndjehet dhe perceptohet, pa arsye, pa shpjegim. Është njëlloj kombinimi unik i fjalëve, kuptimeve të saj dhe emocioneve që përcjellin. Ata që dinë të lexojnë poezi e kuptojnë fare mirë për çfarë është fjala.

    Paul Valery tregon se Edgar Degas shkruante dhe poezi, por që shpesh herë i mungonte frymëzimi. Ai shkonte sa tek Mallarmé-ja, sa te poetë të tjerë, dhe u shprehte këtyre pamundësinë e tij për të shkruar;

    “Kam gjithë ditën që punoj për këtë dreq soneti dhe nuk arrij dot aty ku dua”.

    Një herë i kishte thënë Mallarmé-së se “nuk e shpjegoj dot përse nuk po arrij të mbaroj poezinë time të vogël, sepse, tek e fundit, kam plot ide.”

    Dhe Mallarmé-ja iu përgjigj:

    “Poezitë nuk bëhen me ide, Degas, por me fjalë.”

    Mendimi se poezia përçon vetëm ide dhe krijohet vetëm përmes ideve e shkatërron poezinë. Është e pamundur të shkruash vargje të bukura vetëm përmes ideve, sepse idetë nuk e përmbushin metaforën, as e krijojnë lidhjen e fjalëve. Sepse fjalët për ide të caktuara kanë kuptim strikt, por që në poezi nuk e krijojnë alkiminë emocionale. Poezia para së gjithash është atmosferë emocionale që krijohet në mënyrë të pashpjegueshme, njëlloj kapriçio e pabesueshme që vjen vetëm tek poetët e talentuar. Poeti i mirë përgjon momentin e duhur, krijon njëlloj realiteti paralel, njëlloj ëndrre që duket si e vërtetë. A nuk duken edhe ëndrrat reale, të vërteta absolute? Poeti i mirë e ka aftësinë të krijojë këtë lloj realiteti përmes poezisë. /Liberale.al/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark