Insajderi
Lajme

Policia arreston personin që dyshohet se dogji autoambulancën dhe një shtëpi në Ratkoc të Rahovecit

Insajderi
21 December 2025 - 22:58
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Policia arreston personin që dyshohet se dogji autoambulancën dhe një shtëpi në Ratkoc të Rahovecit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë Halil Hotin, të dyshuarin për zjarrvënien e autoambulancës së QMF-së dhe një shtëpie në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka thënë se i njëjti është arrestuar në një ndjekje në zone malore në Gjakovë.

“Në lidhje me rastin, Stacioni Policor në Rahovec ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore. Si rezultat i hetimeve në vendin e ngjarjes dhe provave të siguruara, është identifikuar një person i dyshuar, i cili për motive ende të panjohura dyshohet se i ka vënë flakën autoambulancës. Më vonë, falë veprimeve operative të zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë, rreth orës 18:50, i dyshuari me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore, është arrestuar. Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”, ka njoftuar ai.

Fshati Ratkoc i Rahovecit është tronditur mëngjesin e sotëm nga një person i cili ka djegur një autoambulancë dhe ka tentuar t’u vë zjarrin edhe disa objekteve të tjera.

Gazeta Insajderi raportoi se personi në fjalë është Halil Hoti.

I dyshuari ka tentuar t’i vë zjarrin edhe në oborrin e shkollës, por është ndaluar nga qytetarët. Po ashtu, ai ka vënë në zjarr edhe një shtëpi duke përdorur mjete piroteknike.

Personi në fjalë dyshohet se edhe në të kaluarën ka pasur vepra penale. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark