×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Policia ia bën gati mbi 1 milion euro dhëndrit të shefit të tenderëve

    Insajderi
    11 December 2023 - 15:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës e ka para-kualifikuar firmën biznesmenit Ideal Shala, që është edhe përfaqësuesi i firmës së njohur botërore “KIA” për të blerë autobusë për këtë institucion. Ky tender, që është nisur me vlerën e parashikuar prej 1.2 milionë eurosh, dyshohet se po i përgatitet biznesmenit Shala, që është burri i motrës së Artan Fejzës, shefit të tenderëve në Polici.

    Visar Duriqi

    Më 20 shtator të këtij viti Policia e Kosovës bëri thirrjen publike për kompanitë që duanë të ofertojnë që të blinte autobusë për nevojat e këtij institucioni.

    Tha që planifikon që të blejë autobusë deri në vlerën 1.2 milionë euro.

    Tenderin e shpalli Artan Fejza, shefi i Departamentit të Prokurimit në këtë institucion.

    E, dy muaj më vonë i njëjti departament i udhëhequr nga Fejza, doli me një vlerësim që nga katër kompanitë në garë të eliminohen tri. Mbeti në garë veç firma e burrit të motrës së tij, firma e Ideal Shalës.

    Njëra nga kompanitë në garë që u eliminua ushte për disa dhjetëra mijëra euro më e lirë se ajo e biznesmenit Shala, që është edhe përfaqësues i kompanisë së prodhimet të veturave, KIA.

    Por, prokurimi i Policisë së Kosovës, megjithatë e shpalli vetëm Ideal Shalën si te suksesshëm.

    “Juve iu është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar të tenderit tuaj prej: 1,188, 850.00 eurosh” thuhet në dokumentin e datës 22 nëntor e që prapë figuron emri i mikut të Ideal Shalës, Artan Fejza.

    Policia thotë se shefi, miku i biznesmenit u tërhoq nga vendim-marrja

    Dokumentin me të cilin u nis tenderi për të blerë autobusë për nevojat e Policisë së Kosovës është nënshkruar nga Artan Fejza. Edhe në dokumenti në të cilin eliminohen tri kompani, e shpallet si tenderues i suksesshëm vetëm Ideal Shala, është shënuar emri Artan Fejza.

    Artan Fejza, pos shef i tenderëve në Policinë e Kosovës është edhe mik i biznesmenit Ideal Shala.

    Motra e Artan Fejzës është e martuar për biznesmenin Ideal Shala.

    Por, për Policinë e Kosovës, kjo nuk paraqet konflikt interesi, ani pse nënshkrimi i tij është në të dyja dokumente, dhe se pozita e tij është shef i tenderëve, e dhëndëri i tij është rrugës për të përfituar mbi 1 milionë euro nga po ky departament i Policisë.

    Cili është sqarimi i Policisë?

    “Lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Furnizim me autobusë për policinë e Kosovës’, drejtori i prokurimit me anë të një shkrese ka njoftuar drejtorin e Departamenti të Shërbimeve Mbështetëse, se ai (drejtori i prokurimit), kërkon të lirohet nga procesi/vendim-marrja në këtë aktivitet të prokurimit pasi ka konflikt interesi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë.

    Ani pse ai ka dërguar këtë letër, sipas tyre, emri i tij shfaqet prapë më 22 nëntor 2023 në dokumentin ku tenderues i suksesshëm del të jetë vetëm dhëndëri i tij, Ideal Shala

    “Drejtori i Departamenti të Shërbimeve Mbështetëse ka caktuar një zyrtar tjetër të prokurimit që të udhëheq vendim-marrjen në këtë aktivitet dhe i gjithë komunikimi në lidhje me ndonjë paqartësi me komisionin e vlerësimit është konsultuar me zyrtarin e caktuar për këtë tender”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Insajderi.

    Sipas tyre, “drejtori i prokurimit nuk është vendim-marres si zyrtar përgjegjës i prokurimit në këtë proces”.

    Edhe pse pyetjet e Gazetës Insajderi ishin dërguar në të njëjtën kohë edhe tek Policia, edhe tek dhëndëri i Artan Fejzës, biznesmeni Ideal Shala, ky i fundit është përgjigjur disa ditë pas Policisë.

    “z.Artan Fejza është miku im (vëllai i gruas time)”, ka thënë për Insajderin biznesmeni Ideal Shala.

    Ai ka treguar se edhe më herët ka pasur kontrata me Policinë e Kosovës, ku tash shef i tenderëve është miku i tij.

    “Kompania jonë Npsh Allmakes Global  Services ka ofruar furnizime dhe shërbime edhe në të kaluarën me Autoritetin Kontraktues Policia e Kosovës gjithmonë në harmoni me legjislacionet në fuqi. Kompania jonë ka ofertuar në këtë aktivitet të prokurimit  në harmoni me ligjin e prokurimit Publik. Autoriteti Kontraktues  Policia e Kosovës ka rekomanduar për kontratë kompaninë tonë si të përgjegjshme”, ka thënë për Insajderin biznesmeni Ideal Shala.

    Edhe ia ka thënë që në këtë aktivitet të prokurimit, ani pse është shef, ani pse nënshkrimi i tij është në dokumentin e shpalljes, e emri i tij në vendimin e shpalljes si të përgjegjshëm vetëm firmën e tij, miku i tij nuk është vendim-marrës bash në këtë tender.

    “z. Artan Fejza nuk është vendim marres për këtë aktivitet. Për më shumë ju lutem kontaktoni Autoritetin Kontraktues Policia e Kosovës”, ka thënë biznesmeni Shala për Insajderi në një përgjigje me shkrim.

    Në këtë tender për vlerën deri në 1.2 milionë euro, Policia kërkon që të blejë pesë autobusë, por ndryshime janë lejuar deri në +/- 30%, që mund të jenë pra edhe më pak ose më shumë se sa 5 autobusë.

    Kërkohet që ngjyra e autobusëve të jetë “E bardhë/ ngjyra e hirit metalike – ekuivalente me ngjyrën e hirit metalike qe posedojnë veturat patrulluese. Fuqia e motorit : Min 220 PS”, thuhet në dosjen e tenderit.

    Për këtë tender, që është shpallur si firma e vetme e suksesshme ajo e dhëndrit të shefit të tenderëve në Polici, ky institucion ia ka lënë, kushdo që e fiton kontratën, që ti ketë 270 ditë në dispozicion për sjelljen e autobusëve, që nga dita e nënshkrimit të kontratës./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark