×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia po interviston të dyshuarin dhe familjarët – Detaje të reja rreth vrasjes së gruas në Pejë

    Insajderi
    16 April 2024 - 12:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    E vrava gruan”, ishin fjalët e para që dyshohet se Edmond Lajqi, u tha policëve në stacionin policor në Pejë, mëngjesin e së martës.

    Ai dyshohet se rreth orës 08:15 të mëngjesit në banesën e tyre, vrau me armë zjarri gruan e tij, Gjyljeta Ukella.

    Lajqi u vetëdorëzua në polici, derisa vendit iu shtua edhe një grua viktimë e burrit të saj.

    Gazeta Insajderi ka raportuar që nga mëngjesi për këtë ngjarje të rëndë që tronditi vendin.

    Aktualisht, sic mëson Insajderi, i dyshuari Edmond Lajqi, gjendet në stacionin e Policisë në Pejë dhe po intervistohet nga zyrtarët hetues dhe prokurori i rastit.

    Po ashtu, përveç Lajqit, janë duke u intervistuar edhe familjarët e tij dhe të viktimës, për të hetuar në detaje mbi motivet që mund ta ketë çuar ta kryej krimin.

    Pas disa orësh pritet që Prokuroria e Pejës të dalë në konferencë për media për të shpalosur të gjeturat e tyre të deritashme mbi motivin dhe rrethanat që cuan në vrasjen e Gjyljeta Ukellës.

    Krimi dyshohet se ndodhi në banesën e tyre, në qendër të qytetit të Pejës.

    Kjo u konfirmua për Gazeta Insajderi nga zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.

    “Kryeprokurori dhe prokuroret janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se ka ndodhur një rast i vrasjes në qendër të qytetit në një banesë. Dyshohet se bashkëshorti ka vrarë gruan e tij. Personi i dyshuar është arrestuar nga policia dhe i është konfiskuar arma. Jemi duke pritur Institutin e Mjekësisë Ligjore që ta tërheq trupin”, ka thënë Nikçi.

    Gruaja që u vra nga burri i saj kishte tre fëmijë me të.

    Deri më tani nuk dihen motivet e kryerjes së këtij akti të rëndë kriminal.

    Por, i dyshuari Edmond Lajqi, raportohet se ka të kaluar kriminale.

    Dyshohet se në vitin 2021 ishte i dënuar për dhunë në familje.

    Dënimi ndaj tij ishte qesharak. Lajqi u dënua me vetëm 400 euro gjobë.

    Derisa, reagimet janë të mëdha. Sidomos thirrje për mbrojtje të grave.

    Kjo pasi që numri i viktimave gra burrat e tyre është në rritje.

    Po ashtu, në shumicën e rasteve, viktimat i kanë raportuar në organet shtetërore, dhunën dhe maltretimet nga ana e bashkëshortëve të tyre. Dhe se shteti po vazhdon që të dështojë për t’u ofruar siguri grave të dhunuara fizikisht nga bashkëshortët. Rrjedhimisht, përfundimi i rasteve me fatalitet – sikur ky i sotmi – po shihet dukuri shqetësuese dhe në rritje.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark