×
Insajderi / Insajderi

Policia zbardhë fletëqortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale

Insajderi
01 November 2022 - 08:36
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka bërë publike fletëqortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Sipas Policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Fletë qortimet, sipas Policisë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.

Ndryshe, në ora 00:00 ka hyrë zyrtarisht në fuqi, masa qortuese për targat ilegale, vendim ky i Qeverisë së Kosovës për ata që refuzojnë t’i konvertojnë ato në ‘RKS’.

Vendimin për shkallëzim të zbatimit të vendimit për targat e veturave të serbëve, Qeveria e Kosovës e mori të premten.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës në përputhje me vendimin e ri të qeverisë dhe legjislacionin në fuqi, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, fillon shqiptimin e masës së qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ‘ĐA’ nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend. Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”, ka shkruar ai nw Facebook.

Ky vendim ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve, të cilët kanë përsëritur se i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që vendimin për targat ta shtyjë për 10 muaj.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve ndërkombëtar për zgjatjen e afatit për implementimin e vendimit për targat.

“Ne kemi qenë të qartë si në publik ashtu dhe privatisht, se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, kërkojmë shtyrje të plotë në aspektin e implementimit. Ne nuk kërkojmë implementim të pjesshëm apo edhe në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës, shtyrje të plotë”, u shpreh Price.

OP-ED
Nga Rubrika
Insajderi
01 September 2023

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark