Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke shikuar që t’i ndalojnë aplikacionet kineze të rrjeteve sociale, përfshirë aplikacionin e famshëm, TikTok.
Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë e la të hapur mundësinë e marrjes së këtij vendimi gjatë një interviste për televizionin Fox News. “Jemi duke e marrë këtë shumë seriozisht”, tha kryediplomati amerikan gjatë kësaj interviste.
“Sa u përket aplikacioneve kineze në telefonat celularë të njerëzve, unë mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara do të merren me këtë, gjithashtu. Nuk dua të dal para presidentit, por është diçka që po e shikojmë”, shtoi Pompeo.
Ai tha se njerëzit duhet ta shkarkojnë këtë aplikacion, vetëm nëse dëshirojnë që të dhënat private të tyre të jenë në duart e Partisë Komuniste të Kinës, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Një zëdhënës i aplikacionit TikTok reagoi pas deklaratës së Pompeos. “TikTok udhëhiqet nga një shef ekzekutiv amerikan, me qindra punëtorë dhe liderë kyçë për siguri, produkte dhe politika publike këtu në ShBA”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.
“Ne nuk kemi prioritet më të lartë sesa promovimi i një përvoje të sigurt të aplikacionit për përdoruesit tanë. Ne kurrë nuk kemi ofruar të dhëna të përdoruesve për qeverinë kineze dhe as nuk e bëjmë këtë, nëse na kërkohet”, thuhet më tej.
Deklarata e Pompeos vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të cilat janë përhapur në disa fusha, përfshirë sigurinë kombëtare, tregtinë dhe teknologjinë.