×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Premtimi i pa mbajtur i Kurtit për inspektorë të punës- një vit pas, ende problem punëtorët pa kontrata dhe nën 18 vjeç

    Insajderi
    14 May 2022 - 21:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kanë kaluar mbi një vit me Qeverisjen e Albin Kurtit dhe premtimi i tij për rritjen e numrin të inspektorëve nuk është realizuar. Ende janë vetëm 42 sosh. Këta të vetëm duhet ta mbikqyrin sektorin publik e sektorin privat. Në këtë të dytin, ende ka punëtorë pa kontrata e të atillë që janë madje edhe nën moshën 18 vjeçare. Insajderi sjell dhe një rrëfim nga një punëtore e sektorit privat.

    Kushtet në sektorin privat vazhdimisht janë kritikuar nga përfaqësuesit e punëtorëve. Pagat e ulëta, trajtimi jo i duhur i punëtorëve, mungesa e kontratave, orari i stërzgjatur i punës, janë disa nga parregullsitë me të cilat edhe aktualisht përballen punëtorët në sektorin privat por që këto problematika kaq të mëdha nuk duken të jenë shqetësim i madh për qeverinë e cila ka për detyrë te aktivizojë inspektorat e punës e të ndryshojë ky keqtrajtim shfrytëzim i punëtorëve.

    Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës veprojnë 42 inspektorë të punës, të cilët funksionojnë në kuadër të Inspektoratit të Punës.

    Zgjidhja e këtij problemi duket të jetë rritja e inspektorëve dhe aplikimit të masave gjobitëse të tyre në rast se gjenden pa rregullsi.

    Për këtë një ndër premtimet e kryeministrit Albin Kurti ka qenë se punëtorët e sektorit privat do të kenë të garantuara kushte të dinjitetshme në punë, me kontrata pune, kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë punë të rregullt në javë.

    Në programin, që është prezantuar gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se “do pesëfishoj numrin e inspektorëve të punës, me synim parandalimin e diskriminimit të punëmarrësve dhe parandalimin e rreziqeve në punë”.

    Nga ky premtim dhe nga te dhënat e tanishme që janë ky ”pesëfishim” nuk ka ndodhur dhe që momentalisht sipas Kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për Insajderin thotë se ”vetëm 28 inspektorë janë aktiv” e shumë larg numrit të premtuar të kryeministrit Kurti që premtoi se numri i inspektorëve do të rritet deri në 400.

      Jusuf Azemi-Kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat

    Asnjë qeveri nuk është marr seriozisht me pozitën e punëtorëve në sektorin privat

    Në pyetjen se pse ka kaq numër të vogël të inspektorëve të punës Azemi thotë se “pak ka numër te vogël të inspektoreve pasi që asnjë qeveri nuk është marr seriozisht me pozitën e punëtoreve në sektor privat dhe kjo shifër ju ka shku për shtati qeveritareve sepse nga mos implementimi i ligjeve në raport punëdhënës  punëmarrës kanë përfitu qeveritaret individualisht”.

    Ndryshim duket se nuk ka dhe nuk do të ketë në përmisimin e sektorit privat të punës, sipas Jusuf Azemit ndryshimi nuk mund të ndodh me 28 inspektora “ska mundësi me me i kontrollu 60000 biznese me kta pak inspektor ”.

    Jusuf Azemi hedh dyshime në shqiptimin e gjobave të cilat inspektorët ju bëjnë kompanive apo bizneseve të caktuara,  inspektorët në Kosovë nuk e përfillin çmimin që është me ligj i caktuam, “gjoba për dënim ndaj kompanive joserioze është sipas dëshirës se inspektorit nga 100 euro deri ne 30000 euro d.m.th. brenda saj shume bahet pazar mes punëdhënësit dhe disa inspektoreve” tha Azemi për Insajderin.

    Për të krijuar një pasqyrë mbi gjendjen aktuale të punëtorëve në sektorin privat na duhen statistikat, te cilat tregojnë një gjendje mjaft të keqe në çështjen e sektorit privat në Kosovë, ani pse ligji ekziston edhe gjobat si pasojë e mos respektimit të këtij ligji ekzistojnë, në Kosovë duket se ligjet nuk përfillen e sidomos nuk përfillen nga biznesmenët.

     Përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica tregon për Insajderin se sa punëtorë janë aktualisht në sektorin privat, dhe sa punëtorë janë pa kontrata pune.

    Arian Vranica

    ”Në bazë të dhënave të cilat i kemi trajtu të vitit 2019 nga 273 mijë punëtorë privat në bazë të Agjencionit të Statistikave të Kosovës hoteleria dhe gastronomia përfaqëson 7.6% ose 27 mijë e 706 punëtore, ndërsa në bazë të dhënave të ATK-së i kemi rreth 18 mijë e 667 punëtorë pra kjo diferencë mund të tregoj se sa punëtorë mund të janë pa kontrata të punës edhe pse nuk janë të sakta 100% mirëpo mund të konsiderohet si një lloj linje e analizës”.

    Në lidhje me punëtorët që punojnë nën moshën 18 vjeç, dhe procesin se si duhet marrë ky hap rreth kontratave dhe sigurisë ne pune tregon për Insajderin përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica.

    Fitimi i të drejtës dhe aftësisë për të vepruar në bazë të ligjit të Kosovës mundësohet nga mosha 14 vjeçare mirëpo për ketë gjë duhet marrur vendim nga gjykata dhe në rast se sigurohet kontrata  atëherë të njëjtit punëtore janë të mbrojtur  dhe të siguruar me kontratë dhe me ligj por në raste kur nuk kane kontrata ata nuk janë të siguruar”, ka thënë ai.

    Ai ka një shpjegim edhe pse lokalet nuk lidhin shpesh kontrata.

    Mendoj se ju duhet kontrata sepse është më e lehtë dhe më e thjesht por është e dyanshme mendoj unë në bazë të analizës që e kemi bërë sepse ka edhe punëtorë që dojnë  me fitu ma shumë pare nëse paguhen kontributet dhe për atë arsyeje shpesh lokalet nuk lidhin kontrata”, thotë Vranica për Insajderin.

    Se nuk po punohet aspak në sektorin e punës dhe si këta inspektorë që kemi momentalisht nuk janë aktiv thuajse asnjëherë tregon një punëtore e cila aktualisht punon në një kafiteri në Prishtinë dhe në kushte anonimiteti për shkak se ka frikë rrezikun të largohet nga puna ajo rrëfen për Insajderin përvojën e saj si punëtore.

    Në këto tri vite, Z.V tregon se asnjëherë nuk ka ardhur askush nga inspektori i punës të bëjë ndonjë kontroll.

    “Asnjëherë sa kam qenë në punë nuk ka ardhur askush nga inspektori i punës, përgjatë dy viteve në një lokal tjetër që kam qenë dhe tash e 5 muaj në lokalin ku punoj nuk është parë ndonjë inspektor i punës në lokal”.

    Z.V tregoi për Insajderin se ajo punon pa kontratë pune dhe se pronari i tij i ka thënë se nuk mban përgjegjësi ligjore.

    “Pasi që jam nën moshën 18 vjeçare unë nuk kam kontratë pune, por edhe të isha 18 vjeçare nuk do të kisha pasi që koleget e tjerë janë mbi moshën 18 dhe nuk janë të pajisur me kontratë pune”, ka thënë ajo për Insajderin.

    Në vitin 2010 ishte miratuar Ligji i Punës që rregullon të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës. Çdo punëdhënës obligohet që t’i pajisë me kontrata pune  punëmarrësit, në të kundërtën mund të gjobitet deri në 7 mijë euro. Puna jashtë orarit të punës lejohet vetëm tetë orë në javë dhe ajo duhet të kompensohet materialisht.

    Sektori privat është punëdhënësi më i madh në Kosovë. Vlerësohet se në të punojnë mbi 220 mijë punëtorë. Paga mesatare në sektorin privat është nën 350 euro.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca e radhës e Kuvendit ku do të diskutohej edhe Ligji i Pagave në sektorin publik, por Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të ketë kuorum për të miratuar këtë Projektligj.

    Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm në seancën e së premtes për ta votuar në shqyrtim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, në shqyrtim të parë.

    Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 73 deputetë, mirëpo jo të gjithë e shfrytëzuan të drejtën për të votuar, duke bërë që projektligji të merrte 51 vota për dhe 5 kundër.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se projektligji do të hidhet sërish në votim në ndonjë seancë tjetër.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    26 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark