×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Premtuan Transport Falas, çmimi i biletës ‘fluturoi’ në 50 cent – pushteti hesht

    Insajderi
    02 February 2023 - 15:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Që nga 31 janari përdoruesit e Trafikut Urban në Komunën e Prishtinës kanë filluar të paguajnë nga 50 cent për biletë të rregulltë dhe jo 40 cent sa kushtonte më parë. Kjo ngritje e çmimit po kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare të Kuvendit Komunal. Madje, pushtetit i rikujtuan premtimin e dhënë nga PDK, gjatë kohës së fushatës për transport publik falas.

    Për Gazetën Insajderi ka folur shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla e Sami Borovci nga Aleanca Kosova e Re. Ndërkohë nga komuna, përveç njoftimit zyrtar nuk kanë dhënë asnjë sqarim për shtrenjtimin e biletës përkundër insistimit të Gazetës.

    Si Sveçla ashtu edhe Borovci po konsiderojnë se kjo rritje nuk do të duhej të ndodhte, sidomos nga dikush që ka premtuar transport publik falas.

    Rritja e çmimit të biletës në këtë kohë është e papranueshme për ne, e sidomos kur është e qartë që bie në kundërshtim me atë çfarë kanë premtuar gjatë fushatës zgjedhore, partitë në pushtet e sidomos PDK dhe kandidati i saj  i atëhershëm për kryetar Z.Uran Ismaili, e kjo është e rëndësisë së veçantë kur dihet se Drejtorinë e Shërbimeve Publike ku bën pjesë edhe Trafiku Urban e  udhëheq PDK, të cilët kanë premtuar transport falas ndërkohë çfarë ka ndodhur është se kemi të bëjmë me rritje prej 25% të biletës së rregullt”, ka deklaruar Sveçla për Insajderin.

    Në anën tjetër, Borovci thotë se rritja e çmimit të biletës nuk do t’i inkurajojë qytetarët të përdorin transportin publik, e përmend edhe inflacionin.

    Rritja e çmimit të biletës një drejtimshe e cila është bileta më e përdorur nuk është e arsyeshme në këtë fazë, veçanërisht tani kur kemi një inflacion të lartë si pasojë e rritjes së çmimeve, të cilat në shumë raste kanë qenë edhe të pa arsyeshme dhe si pasoj kanë krijuar një zingjir rritjesh! Rritja e çmimit në këtë fazë vetëm se inkurajon vazhdimin e trendit të rritjes, pasi që vetëm kur ka filluar të diskutohet ky vendim, kompanitë e transportit privat menjëherë e kanë rritur çmimin për 10 cent e më shumë, pra kjo nuk inkurajon përdorimin e transportit publik, si dhe kur një rritje e çmimit vjen nga një institucion/kompani publike, vetëm sa i legjitimon dhe inkurajon rritjet e më tejme, shumë raste të pa nevojshme”, ka theksuar ai.

    Transporti Publik ka nevojë për vazhdim të reformimit, ri organizimit e ri dizajnimit, por jo duke rritur çmimin, e aq më tepër kur kjo vije nga dikush që qytetarëve iu premtoi transport publik pa pagesë!”, deklaroi asamblesiti opozitar.

    Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes ka përmendur edhe subvencionimin prej mbi 4 milionë që ka bërë Komuna për Trafikun Urban.

    “…E gjithë kjo (rritja e çmimit të biletave) po ndodhë në një kohë kur nuk kemi linja të reja të autobusëve, nuk kemi një organizim të ri të transportit publik, nuk kemi as pritore të autobusëve do të thotë kanë kaluar 13 muaj që janë në qeverisje ndërkohë që qytetarët detyrohen të presin autobusin në vend e pa vend. Është e pashmangshme ta cekim se Kuvendi Komuna e Prishtinës i ka ndarë gjatë vitit 2022 afër 4 milionë e gjysmë euro për Trafikun Urban, dmth ne qysh në start e subvencionojmë Trafikun Urban ndërkohë që tani po ndodhë është shtrenjtimi i biletës. Kjo është e papranueshme për neve dhe si të tillë e dënojmë këtë veprim të Komunës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

    Kritika për Transportin Publik pati edhe Borovci i AKR-së.

    Transporti Publik në kryeqytet është ende larg përmbushjes së shërbimeve për qytetarët. Qyteti është rritur shumë tashmë me lagje të reja të cilat po popullohen çdo ditë e më shumë. Një pjesë e madhe e qytetit nuk ka qasje ende në transportin publik, andaj duhet ri-shikim i linjave dhe rritje e flotës së autobusëve, e cila veç pritet të ndodh shpejtë. Marrëveshja me BERZH, përveç tjerash parasheh biletë të integruar, ndërsa plani ka qenë të ndërtohen edhe parkingje në hyrje të qytetit dhe të ishte e lidhur parkimi me biletë, por kjo ende është larg”, është shprehur Borovci për Insajderin.

    Muaj më parë, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, e kishte paralajmëruar ngritjen e çmimit të biletave duke thënë se është kërkesë e BERZH.

    Prej BERZh kemi disa kushte para se të bëjmë thirrjen e re për blerjen e autobusëve të rinj. Që kushti i parë ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës me njërin prej operatorëve privat. Kushti i dytë është rritja e çmimit të biletës prej 40 cent në 50 cent për arsye se biznes plani çmimi i derivateve ka qenë krejt tjetër andaj mbrapa kësaj po shohim arsye të qëndrueshme”, thoshte Musli përcjell Insajderi.

    Kohë fushate – PDK premtonte Transport Publik falas

    Në tetor të 2021-ës, kohë fushate, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për të parin e Prishtinës, Uran Ismaili premtoi transport publik falas.

    Ismaili deklaronte se këtë do ta bënte meqë trafiku në Prishtinë është problemi i çdoditshëm i qytetarëve.

    “Sepse trafiku në Prishtinë është ankthi ynë ditor i cili na përcjellë tash e disa vjet rresht. Ky problem kërkon adresim të menjëhershëm, dhe zgjidhje të menduar mirë. Me mua si Kryetar të Komunës, Prishtina do të ketë transport publik FALAS, thoshte Ismaili.

    Theksojmë se shtrenjtimi i çmimit të biletave njëdrejtimëshe të Trafikut Urban, nuk është mirëpritur as nga qytetarët. Sipas tyre, rritja në këtë kohë krize është vendim i gabuar nga komuna.

    Çmimi i biletës prej 50 cent ka kohë që po praktikohet edhe nga kompanitë private të autobusëve në Komunën e Prishtinës.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark