Në prani të përfaqësueseve të kompanive pjesëmarrëse dhe shumë qytetarëve të pranishëm, mbrëmë përfundoi, panairi i parë i automjeteve të reja “Prishtina International AutoShow” ku morën pjesë 21 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja.
Panairi i cili u mbajt nga 11 deri më 14 maj, u vizitua me mbi 20,000 qytetar të moshave dhe gjinive të ndryshme të cilët për nga afër u njoftuan me këto brende dhe mundësitë për t’i blerë ato.
Bujar Hoxha, kryetar i Shoqatës së Importueseve të Autorizuar i Automjeteve të Reja (SHIAR) në deklaratën e tij tha: “Qëllimi i këtij panairi ishte njoftimi dhe sensibilizimi i qytetarëve se të pajisesh me automjet të ri, nuk është e vështire dhe se tashmë kushtet dhe mundësi për një gjë të tillë janë shumë të lehta. Numri i qytetarëve që e vizituan panairin ishte shumë herë më i madh sesa pritjet tona. Sipas informatave që i kemi ka pasur edhe shitje te konfirmuara si dhe të kontraktuara që do të porositen në ditët në vijim.”, përfundoi Z. Hoxha
Ndërsa Fioret Pruthi, anëtar i bordit dhe i këshillit punues u shpreh shumë i kënaqur me mbarëvajtjen. “Gjithçka shkoi shumë mirë dhe me këtë rast dëshiroj të falënderoj të gjitha palët pjesëmarrëse, si kompanitë importuese të automjeteve gjithashtu dhe partnerët që na ndihmuan ne organizimin e këtij evenimenti. Duke u bazu në mbarëvajtjen e këtij edicioni, besoj që tashmë ky eveniment do të bëhet tradicional” përfundoi Z. Pruthi
Leart Zeqa, drejtor i kompanisë MODUS tha: “I gjithë mundi dhe përpjekja jonë u shpagua me suksesin shumë të madh të këtij panairi. Jemi shumë të kënaqur që edhe pse ishte hera e parë, ishte i nje niveli po aq të mire sa edhe panairet e ngjashëm në rajon, dhe do të krijoj një standard të ri të organizimit të panaireve edhe në vendin tonë. Sipas të dhënave që në i posedojmë, mbi 20 mijë qytetarë e vizituan panairin gjatë këtyre katër ditëve,” tha në fund Z. Zeqa.
Panairi “Prishtina International AutoShow” u mbajt në sallën e Panaireve në Shkabaj (Prishtinë) dhe të pranishme në këtë panair ishin brendet: Alfa Romeo, Audi, Citroën, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Infinit, Jaguar, Jeep, Land Rover, Mercedes, Nissan, Peugeot, Porsche, Renault, Seat, Skoda, Suzuki, Toyota dhe Volkswagen.
Ky panair u organizua nga Shoqata e Importueseve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR) në bashkëpunim me kompaninë e specializuar për organizim të evenimenteve “MODUS”.