×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Prishtina subvencionon 160 gra me kancer të gjirit, nis fushata vetëdijesuese

    Insajderi
    27 August 2023 - 21:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës hapi fushatën vetëdijesuese kundër sëmundjes së kancerit të gjirit “Race for the Cure Prishtina 2023”, ku grave të Prishtinës dhe gjithë Kosovës, iu bë apel për ta bërë mamografinë. Ndërsa, qytetarëve të tjerë iu kërkua t’iu bashkohen në luftën kundër kancerit të gjirit.

    Aktiviteti në solidarizim të të prekurve me kancerin e gjirit u mbajt te Pishina e Germisë, ku pati shumë aktivitete, por paraprakisht në sheshin “Zahir Pajaziti” u mblodhën edhe çiklistë e motoçiklistë për t’iu bashkuar ngjarjes. Aty u tha se Komuna e Prishtinës, këtë vit do të realizoj garën më të madhe “Race for the Cure 2023, e cila mbahet me 1 tetor, derisa u premtua se do të bëjnë subvencionime të vazhdueshme për të gjitha femrat që kanë kancer të gjirit në Prishtinë.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili u bëri thirrje të gjitha grave të kryejnë kontrolle dhe të bëjnë mamografi, pasi tashmë janë aparaturat e nevojshme dhe se nuk kanë nevojë të presin për radhë.

    I pari i kryeqytetit ftoi të gjithë të bashkohen në luftimin e kancerit të gjirit.

    Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku u shpreh se janë duke punuar vazhdimisht në përmirësimin e kushteve për t’i ndihmuar gratë në parandalimin dhe kurimin e kancerit të gjirit.

    Ndërkaq, udhëheqësja e organizatës joqeveritare “Renesansa”, Violeta Pirana tha se po të jetë një angazhim i përbashkët, mund të bëhen mrekullira në luftimin e kësaj sëmundje. Ajo shtoi se me hapjen e kësaj fushate po hapim dyert për ndërgjegjësimin dhe rritjen e fondeve kundër kësaj beteje.

    Po ashtu, edhe udhëheqësja e aktiviteteve kundër kancerit të gjirit dhe njëkohësisht bashkëshortja e të parit të Prishtinës, Kristale Ivezaj Rama, tha se ndihet krenare që fushata  “Race for the Cure Prishtina 2023”, po ndikon që shumë gra të motivohen për ta luftuar këtë sëmundje që më pas shërbejnë si mësim edhe për shumë të tjera për ta bërë këtë.

    Ajo shtoi se fakti që ky organizim po bëhet për herën e dytë radhazi në Prishtinë, tregon përkushtimin që Komuna e Prishtinës ka për t’iu dalë në ndihmë grave të prekura nga kanceri i gjirit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark