×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Probleme ligjore- KQZ-ja mund të refuzojë regjistrimin e dy vetave si kryetarë të “Guxo”

    Insajderi
    07 September 2022 - 22:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Anëtarët e Partisë Guxo kanë vendosur për modelin që është përdorur në Gjerman që drejtimin e partisë ta kenë dy persona. Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë zgjedhur kryetarë të përbashkët të Partisë Guxo. Por, kjo duket se do të jetë problem pasi KQZ mund të refuzojë këtë regjistrim kështu ka thënë Eugen Cakolli nga KDI.

    Cakolli tha se partia Guxo me këtë veprim ka bërë shkelje të legjislacionit.

    “”GUXO” e paska filluar zyrtarisht aktivitetin partiak/politik me shkelje të legjislacionit gjatë zgjedhjes së strukturave udhëheqëse të saj. Sado që mund të duket zgjidhje kreative, legjislacioni zgjedhor në Kosovë nuk e njeh mundësinë e “bashkë-kryesimit” të partive. Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013 përcaktojnë qartazi që partitë politike kanë ‘kryetar’, e jo ‘kryetarË’”, ka shkruar Cakolli.

    Sipas tij KQZ do të duhej të mos i njeh dy kryetarë sepse statutet e partive përcaktojnë procedurat për zgjedhjen e vetëm një kryetari.

    “Ndryshe, nuk do të mund të zbatohen obligimet për funksionim të rregullt që ka partia politike, respektivisht kryetari/ja e saj – si instancë kryesore për, minimalisht, nënshkrimin e dokumenteve zyrtare dhe përgjegjësisë ligjore. Prandaj, Zyra do të duhej t’i propozonte KQZ-së mosnjohjen e këtij Kuvendi dhe vendimmarrjes së partisë “Guxo” lidhur me këtë çështje, si dhe t’a obligojë atë që t’a harmonizojë statutin e partisë me kornizën ligjore”, përfundoi ai.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë zgjedhur kryetarë të përbashkët të Partisë Guxo.

    373 delegatë kanë votuar për këtë vendim, 23 kundër dhe 3 kanë abstenuar.

    Të dy kryetarët do të kenë kompetenca të barabarta, ndërsa zgjedhjen e dy kryetarëve e ka mundësuar statuti i ri i këtij subjekti politik, që është miratuar para se të votohet për kryetar.

    Partia Guxo kishte mbetur pa udhëheqës që nga zgjedhja e themelueses së saj – Vjosa Osmanit në postin e presidentes së vendit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark