×
  • Lajme
  • Insajderi

    Problemet e shqiptarëve në Luginë, kërkohet veprim nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë

    Insajderi
    02 March 2021 - 19:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi ka mbajtur diskutim të hapur me politikanë dhe veprimtarë në shënim të 29-vjetorit të Referendumit për autonomi territoriale në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Aty janë diskutuar problemet me të cilat përballen shqiptarët në këto tre komuna në fushën e arsimit, punësimit, shpërnguljen dhe problemet me pasivizimin e adresave të shqiptarëve atje.

    Drejtuesi i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik, Muharrem Salihu tha se në komunat me shqiptarë në Serbi po pakësohet numri i banorëve për shkak të shpërnguljes ndërsa po rritet numri i partive politike.

    “A është bashkë Shqipëria me Kosovën për dialogun, për Luginën, përballë Serbisë, jo. A janë bashkë partitë shqiptare për Luginën? Jo! Kosova ose Shqipëria, ose të dyja bashkë duhet t’i japin shtetësinë e tyre shqiptarëve të Luginës që janë në territorin e tyre apo në diasporë. Po i kundërvihem menjëherë atyre që e kundërshtojnë duke thënë se kjo do e favorizojë largimin. Jo, kjo do i lidhë më shumë luginasit me tokën e tyre, do të mundësojë kthimin e lirë në trojet e tyre, sepse do të kenë një adresë. Do të kenë një kartë identiteti dhe do të lëvizim të lirë. Kjo është lëvizje klasike reciprociteti. A po flet qeveria e re për reciprocitet, ky është reciprociteti real”, tha ai.

    Këshilltari i ushtrueses se detyrës së presidentit të Kosovës Artan Murati tha se është koha që i gjithë spektri politik në Luginë të reflektojë për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen banorët atje.

    “Kushdo që ka pasur një ide konkrete ka marrë një drejtim të vetëm, dhe kështu kanë filluar dhe janë shtuar partitë dhe lëvizjet në atë pjesë dhe si rrjedhojë fuqia politike shqiptare ndoshta është kufizuar sa i përket numrave dhe vendimmarrjes në organet atje. Fatkeqësisht, kjo është një sindromë që e kemi parë edhe në shtetet e tjera fqinjë të Republikës së Kosovës ku ka shqiptarë që përballen pak a shumë me probleme të ngjashme, mirëpo problemet e shqiptarëve të Medvegjës sidomos janë goxha specifike, kështu që konsideroj që është kohë e nevojshëm për të reflektuar dhe për të pasur një reagim të përbashkët të gjithë spektrit politik në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë që ky problem të tejkalohet përfundimisht”, tha ai.

    Profesori Sabri Kiçmari tha se përfaqësuesit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë qenë të kujdesshëm gjatë ndarjeve administrative, se të njëjtat mund të shndërrohen në ndarje ndërshtetërore. Ai tha se elitat politike nuk e kanë pasur vëmendjen e duhur ne Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

    “E drejta e përdorimit të simboleve kombëtare është e drejtë themelore e njeriut, shkelja që e bën Serbia, e drejtës për përdorimin e flamurit kombëtar, e drejtës së vendosjes së një përmendore të një luftëtari që ka luftuar për liri dhe barazi është shkelje e rëndë e cila duhet të dënohet si e tillë. Ka një numër masash që Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë do të mund t’i ndërmerrnin. I quaj të dobishme investimet në arsimin fillor, abetaret, dërgimin e librave, ka pasur edhe disa ndihma kryesisht simbolike financiare por duhet të insistohet më shumë në përmbajtje dhe të njëjtën kohë jam shumë dakord që përfaqësues të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të jenë pjesë e diskutimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kiçmari.

    Ish-diplomati Kiçmari tha se dy shtetësia është një e drejtë që nuk duhet mohuar për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.  Ai shtoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të mundësojnë hapjen e një universiteti në Preshevë.

    Ndryshe, në diskutimin e sotëm, Forumi ka propozuar dhënien e një statusi të plotë për të shpërngulurit shqiptarë nga Serbia në Kosovë, që mund të përmbajë edhe shtetësinë e Kosovës me adresën e mëhershme në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Gjithashtu u kërkua regjistrimi i të gjithë shqiptarëve të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit, që siç u tha, u janë pasivizuar adresat në një portal digjital.

    Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi ka kërkuar edhe ndërmarrjen e veprimeve lobuese për përfshirjen e këtyre tri komunave në listën e projekteve infrastrukturore të parapara me zotimet e Uashingtonit, nënshkruar në shtator të 2020-ës në Shtëpinë e Bardhë.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    26 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark