Florent Ukaj i ka hyrë sivjet për herë të parë garës për t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës.
Por, ai ka disa kohë që është i angazhuar në politikë. Prej vitit 2018, Ukaj ka mbajtur pozitën e nënkryetarit, dhe për një kohë, edhe të sekretarit të Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
31-vjeçari është djali i Xhavit Ukajt, ish-deputetit, i cili është ndër përkrahësit e hershëm të Ibrahim Rugovës e LDK-së.
Florent Ukaj ka përfunduar studimet master për administrim biznesi në Universitetin Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”.
Ukaj është evidentuar njëri nga kandidatët për deputetë më aktiv në rajonin e Prizrenit.
Gjatë fushatës zgjedhore, ai ka takuar qindra qytetarë. Atyre ua ka shpalosur idetë e tij politike, por edhe programin qeverisës të LDK-së. /Insajderi.org