×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Profil| Kush është “Peshkaqeni”, bosi i drogës që iu bastis shtëpia nga Policia e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë?

    Insajderi
    07 December 2023 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka bastisur të enjten shtëpinë e Princ Dobroshit, të njohur me nofkën “peshkaqeni”.

    Gazeta Insajderi merr vesh përmes burimeve se Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë të Gjermanisë kanë sekuestruar një veturë dhe disa pajisje teknologjike të të dyshuarit.

    Këto burime i bëjnë të ditur Insajderit se ai është arrestuar para disa ditësh në Shqipëri.

    I njëjti ishte prezantuar me identitet të rremë, si “Shkelqim Halitaj”.

    Kush është “Peshkaqeni”?

    Princ Dobroshi, në Norvegji dhe Ceki njihet si bosi i mafia shqiptare të drogës. Mediat në këto dy vendi i referoheshin me nofkën “Peshkaqeni”.

    Dobroshi ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, saktësisht heroinës. Për këtë dhe vepra të tjera Dobroshit i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.

    Ai ishte larguar nga Kosova në vitin 1988. Fillimisht kishte shkuar në Gjermani, ku ishte marrë me biznesin e kazinove. Pas Gjermanisë ai kishte shkuar në Norvegji.

    Në vitin 1993, Princ Dobroshi, u arrestua nga policia norvegjeze nën dyshimin për trafik droge. Në një rrëfim për mediat në Kosovë pas kthimit të tij, ai thoshte se kishte qenë në kazino kur shoku i tij me emrin Zhuzepe i kishte kërkuar para.

    “Më tha nëse mund t’ia dërgoja 130 mijë marka. Kur jam afruar afër veturës për t’ia dhënë paratë njerëzve të tij, është shfaqur policia. Në makinën që më priste mua ishin 5.4 kilogram heroinë dhe rasti shkoi në gjykatë ku u dënuam”, pati thënë Dobroshi.

    Gjykata në Norvegji në vitin 1994 e kishte dënuar atë me 14 vite burgim.

    Dobroshi, kishte arritur të ikur nga burgu në vitin 1997, pasi që kishte korruptuar rojën e burgut. Pas ikjes, sipas shefit të antidrogës, ishte fshehur në Kroaci ku kishte bërë një operacion plastik në fytyrë.

    Autoritetet policore çeke kishin lëshuar një njoftim të përbashkët kur kishin zënë Princ Dobroshin në Pragë pas ikjes së tij nga burgu në Norvegji.

    Në aksionin e koduar “Kafaz”, operacioni i të cilit kishte zgjatur dy vjet, e që ishte mbështetur nga policia suedeze, daneze e veçanërisht ajo norvegjeze, kishte rezultuar me kapjen e Dobroshit, me 23 shkurt të vitit 1999.

    Prej 99-es kur ishte rikthyer në qeli, Dobroshi kishte qëndruar deri në vitin 2005 duke rrumbullakësuar nëntë vite burg përkundër dënimi prej 14 vite burgim. Dy vite kishte ikur nga burgu ndërsa tri vite tjera i ishin hequr nga autoritetet norvegjeze.

    Në vitin 2005 kur kishte kryer burgun, Princ Dobroshi ishte përcjellur nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë.

    Kur u rikthye për të jetuar në vendlindjen e tij në Pejë, ai iu rikthye biznesit të lojërave të fatit.

    Në vitin 2012, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ai hapi biznesin “StarLotoSport”, e cila për aktivitet kishte bastvënien. Pas 14 ditësh ka bërë kërkesë për ndërrimin e emrit të biznesit duke e regjistruar si “Eurolive-24”. Kjo kompani është e regjistruar për bastvënie, bixhoz si dhe kafe. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark