×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Profil i albanologut Selman Riza

    Insajderi
    06 June 2023 - 23:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    (Për nder të 35 vjetorit të vdekjes)

    𝗦𝗲𝗹𝗺𝗮𝗻 𝗥𝗶𝘇𝗮 (1909 – 1988)

    Gjuhëtar, profesor. Një ndër gjuhëtarët më inovativë shqiptarë të shekullit XX, por edhe më të përndjekur për punën e tij. Ka lindur në Gjakovë.

    Shkollimin fillor e nis në vendlindje, ndërsa nga viti 1922 vazhdon në shkollën plotore të Tiranës, ku për tre vjet përfundon 6 klasët. Pastaj vijon Liceun e Korçës, të nëntë klasët e të cilit i kryen për 6 vjet, me sukses të shkëlqyeshëm. Më 1931 nis të punojë sekretar në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, ndërsa në vitet 1932-1935 dërgohet me bursë të studiojë letërsi në Universitetin e Tuluzës, Francë. Atje vendos të studiojë paralelisht edhe jurisprudencën. Kthehet në Tiranë pas tre vjetësh i diplomuar në të dyja.

    Mbreti Zogu I e emëron profesor në Liceun e Korçës, ku mban mësime të gjuhëve shqipe, frënge, latine dhe gjermane dhe shquhet në tërë trupin mësimor. Më 1939 përfshihet në veprimtari kundër pushtimit italian, si Sekretar i Komitetit të Shpëtimit Publik, ndërsa më 28 nëntor 1939 merr pjesë në demonstratën e madhe, bashkë me figura të njohura, si A. Ermenji, S. Skendi, E. Hoxha, etj. Më 1940 qe caktuar profesor në Liceun e Tiranës, por shpejt e larguan.

    Demonstrata dhe qëndrimi i tij i qartë kundëritalian u bënë shkak për burgosjen e tij bashkë me një grup profesorësh e nxënësish për t’i internuar në ishullin Ventotene në Itali. Pas 20 muajsh u kthye në Shqipëri i papunë e i survejuar. Më 29. 3. 1940 Komisioni qeveritar me në krye Ministrin e Arsimit ia ndaloi pu-nën në arsim atij dhe profesorëve K. Cipo, Z. Kodra, S. Skendi, A. Ermenji, I. Bebeziqi, S. Butka, J. Luzaj, etj. Familjen e kishte në Kavajë, ndërsa vetë punonte sekretar në një firmë private tregtare në Durrës.

    Më 1943 vendoset në Prizren, ku punonte avokat dhe zhvillonte veprimtari patriotike. Ishte në grupin që krijoi Qendrën e Vogël të Studimeve Kosovare, me degët në Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë. Njëkohësisht, u vu në krye të Lëvizjes Anti-fashiste Irredentiste për pjesën politike, ndërsa pjesën ushtarake e drejtonte Ejup Binaku. Bashkë me anëtarët e Komitetit Intelektual Shqiptar botonte gazetën “Lidhja e Prizrenit”. Në fund të vitit 1944 Riza është kthyer në Tiranë, ndërsa në janar të vitit 1945 është burgosur nga pushteti i ri komunist për shkak të veprimtarisë kombëtare rezistuese, “as bisht i ‘Ballit’ as ‘shtojcë’ e ‘Frontit’ të Shqipërisë.

    Riza është mbajtur në burg pa gjyq për tre vjet dhe është liruar më 1948. Pas lirimit nga burgu deportohet në Jugosllavi, ku mbahet në burgun e Prishtinës deri më 1951, kur internohet në Sarajevë. Atje u lejua të punonte lektor i frëngjishtes në Universitet. Më 1953 u kthye në Prishtinë dhe u caktua punues shkencor në Institutin Albanologjik. Në dhjetor të vitit 1955 mbyllet Instituti Albanologjik dhe 4 ditë më vonë S. Riza u nxor i shoqëruar në kufirin shqiptar në Prizren, ku iu dorëzua autoriteteve shqiptare, me vërejtjen se paskësh dashur të shkonte në Gjermani. Në fakt, ai nuk kishte dashur të merrte shtetësi jugosllave.

    Nuk ishte ngatërruar në veprimtaritë politike të emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi ndërkohë, ishte marrë me studime, ndërsa përzënia e tij lidhej me proceset e presionit që po shtohej mbi shqiptarët, shprehje e të cilave ishte dhe mbyllja e Institutit. Në fillim të vitit 1956, pas shqyrtimeve nga shërbimet policore, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Kadri Hazbiu, duke e cilësuar ‘antikomunist’, ‘shovinist’, por duke ia njohur cilësitë e punës e dijet e mëdha, i propozonte Enver Hoxhës ta caktonin të punonte në Institutin e Shkencave. Në atë Institut, më vonë Instituti i Historisë dhe i Gju-hësisë i USHT-së, zhvilloi veprimtarinë si punonjës shkencor e si profesor deri më 1967. Më 1959, bashkë me E. Çabejnë, qenë të parët që mbrojtën gradën Kandidat i shkencave, para komisionit A. Xhuvani, A. Desnickaja e M. Domi, ndërsa më 1961 mori gradën Profesor. Më 1962 i jepet Çmimi i Republikës. Më 1967, në kohën e ndikimeve politike të Revolucionit Kulturor Kinez, në Shqipëri, Selman Riza u akuzua për “shfaqje të huaja e armiqësore dhe për pikëpamje të papranueshme”. Pas një fushate fletë rrufesh, ai u largua nga puna dhe u internua në Berat, ku punoi ciceron në muzeun lokal dhe më pas në bibliotekë.

    Selma Riza konsiderohet ndër gjuhëtarët më të thellë dhe më me ndikim të kohës. Shquhet për akribi shkencore të rrallë. Ka qenë njohës shumë i mirë i gramatikës si asaj diakronike, ashtu edhe i asaj sinkronike. Ka dhënë kontribut për nyjat e shqipes, emrat, mbiemrat, përemrat dhe sistemin foljor. Ka bërë studime të autorëve të vjetër të shqipes: Buzukt, Matrëngës, Budit, Bardhit dhe Bogdanit. Për shqipen standarde ka qenë mbështetës i pangegërishtes. Ka qenë poliglot që ka komunikuar në 12 gjuhë të ndryshme. Ndër studimet kryesore të tij janë: “Tri monografina albanologjike”, Tiranë 1944, “Fillimet e gjuhësisë shqiptare”, Prishtinë 1952, “Gramatikë e sërbo-kroatishtes”, Prishtinë 1952, “Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe”, Tiranë 1960 dhe “Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohorë”, botuar pas vdekjes në Tiranë, më 1995. Pas dërgimit të tij në Berat nuk ka pasur mundësi publikimi, mirëpo një pjesë e veprës së tij është publikuar në Prishtinë në vëllimin “Studime albanistike I” më 1979. Vepra e tij është botuar në pesë vëllime me titullin “Vepra” nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Kosovës. Mendimet e tij “Mendime të shkëputun të një vazhde të vetme” janë botuar në Prishtinë me rastin e 100-vjetorit të vdekjes. Pas rënies së komunizmit ka pasur një interesim të shtuar të studimeve për të, me ç’rast janë mbajtur disa sesione shkencore për të. Rexhep Ismajli ka botuar në 100-vjetorin e vdekjes së Rizës një monografi kushtuar veprës së këtij autorit. / Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark